Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Me rastin e Ditës Ndërkombëtarë të të Moshuarve, Bashkia e Tiranës ka vendosur që tu ofrojë transport falas të gjithë të moshuarve të kryeqytetit në linjat e transportit publik. Erka Mato, këshilltarja e kryetarit të bashkisë, ka thënë se mjafton që të moshuarit të kenë librezën e pensionit me vete që të përfitojnë transport falas. Po ashtu ajo ka thënë ndër të tjera se me rastin e kësaj dite në lulishtet e rehabilituara do të vendosen 100 stola në mënyrë që të moshuarit të kenë mundësinë ku të çlodhen dhe të kalojnë kohë me njëri-tjetrin.


Ndër të tjera Mato, në emër të bashkisë ka ftuar të gjitha lokalet e kryeqytetit që tu ofrojnë falas kafen e mëngjesit gjyshërve të Tiranës. Shoqata e Transportit Qytetas e pyetur në lidhje me këtë vendim nuk është shprehur shumë optimiste, edhe pse nuk ka dalë kundër pasi sipas tyre ky është një vendim që i prek vetëm për një ditë. Por ata kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me faktin se nuk po zbatohet ligji i ndryshuar për transportin, pasi ende Bashkia dhe Këshilli Bashkiak nuk ka miratuar çmimin e ri të biletës së transportit publik.


Nisma
Bashkia e Tiranës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, për të gjithë personat që kanë mbushur moshën e pensionit do t’u ofrojë transport publik falas në linjat e Tiranës qytet. Këshilltarja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erka Mato, njoftoi disa nga nismat konkrete të bashkisë për 1 tetorin, duke e vënë theksin te nevojat që kanë gjyshet dhe gjyshërit e Tiranës. “Në këtë ditë të shënuar për ta, në Ditën e të Moshuarve, Bashkia e Tiranës ka menduar disa nisma për t’iu gjendur sa më pranë gjysheve dhe gjyshërve tanë. Një ndër to është vendosja e mbi 100 stolave në parqet dhe lulishtet e rehabilituara të kryeqytetit, në mënyrë që të kenë një vend ku të shpenzojnë pak kohë me nipërit e mbesat apo me njëri-tjetrin”, tha Mato.


Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve çdo person që është i pajisur me një librezë pensioni mund të udhëtojë falas në linjat e autobusëve të Tiranës qytet. “Një ndër nismat e tjera të bashkisë është edhe sigurimi i transportit publik falas në të gjitha linjat e transportit publik të Tiranës qytet, për të gjithë personat që kanë mbushur moshën e pensionit, duke pasur parasysh se duhet të mbajnë me vete edhe librezën e pensionit”, sqaroi ajo. Mandej, Bashkia e Tiranës fton të gjitha lokalet e qytetit që t’i bashkohen nismës së saj për të ofruar kafe falas për gjyshet dhe gjyshërit e Tiranës në orët e paradites.

Reagimi
Përfaqësuesit e linjave që operojnë në transportin publik në Tiranë nuk janë shprehur shumë optimist në lidhje me vendimin e bashkisë për të ofruar transport falas për të moshuarit. “Bashkia merr nisma në kurriz të operatorëve privatë. Ne nuk po subvencionohemi për kategoritë që përfitojnë transport falas me ligj, ndërsa këta shtojnë kategori të tjera. Edhe pse për një ditë është një gjë e pranueshme, për tu treguar edhe solidar me moshën e tretë.

Por gjithsesi transporti publik ka probleme të mëdha, ne jemi ende në një pikë që Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk ka miratuar çmimin e biletës edhe pse është një detyrim ligjor që duhet të ishte përmbushur prej muajsh”,- kanë deklaruar përfaqësues të Shoqatës së Transportit. Operatorët e linjave të transportit publik janë nën monitorimin e Bashkisë së Tiranës, një pjesë e tyre janë inspektuar edhe nga vetë kryebashkiaku Veliaj.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)