Kryeministri Edi Rama nga Bosnjë-Hercegovina deklaroi se qeveria shqiptare po përgatitet për të hapur ambasadën shqiptare në Sarajeve. Rama kërkoi sot që të mundësohet lëvizja e lirë me karta identiteti e qytetarëve të Republikës së Kosovës në Bosnje-Hercegovinë.
Në krah të kryetares së Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krišto, Rama tha se në Bosnje jeton një komunitet shqiptar.
“Uroj që ky të jetë një shembull se si të gjithë vendimet dhe proceset kaq të rëndësishme për mirëqenien e përbashkët duhet të merren dhe zbatohen. Dëshirojmë t’i forcojmë marrëdhëniet me Bosnjën dhe jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës e Republikës së Shqipërisë në Sarajevë. Në Bosnje jeton një komunitet shqiptar dhe më vjen mirë të them që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara në ligjin e minoriteteve të republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër nuk është sekret që Shqipëria mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vende të tjera dhe unë ia thashë edhe kryeministres që jemi të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit, dhe marrëveshja për lëvizjen e lirë me kartë identiteti për qytetarët shqiptarë të Kosovës të mundësohet sepse është e pakuptimtë që të kemi problematika të kësaj natyre ndërkohë që politika duhet të shërbejë.”, tha kryeministri Rama.
(BalkanWeb)