Mediat e pavarura në Serbi e kanë dënuar atë që e kanë cilësuar si përkeqësim të situatës së mediave të lira në këtë vend.

Afro 150 kompani mediale dhe organizata joqeveritare sot i kanë errësuar faqet e tyre në Internet për një orë në mesditë, me shpjegimin me shkronja të bardha se” kjo është ajo që duket sikur nuk ekziston shtyp i lirë”.

“Fushatës protestuese me emrin ‘Të ndalet errësira e mediave në Serbi’, i janë bashkuar disa gazeta të pavarura. E përditshmja Danas sot është botuar me faqen e parë të zezë me shkrimin “duket se sikur atje nuk ka media të lira”.

Një numër i stacioneve të radios dhe të televizionit kanë transmetuar muzikë të shkurtër dhe video, me mesazhin e fushatës protestuese.

Megjithatë, ky aksion është bojkotuar nga mediat shtetërore dhe pjesa më e madhe e kompanive kryesore mediale, shkruan rel.

Organizuesit e protestës thanë se aksioni ka për qëllim të tërhiqet vërejtja në opinion, “se liria e mediave në vendin tonë po vdes dhe se ne të gjithë duhet të luftojmë për ta mbrojtur atë”.

Në deklaratën e organizuesve theksohet, po ashtu, se fushata ka për qëllim që t’i përkujtoj njerëzit se mediat e lira ekzistojnë në Serbi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: