Nga: AHMET SHQARRI *
Pavarësisht se çfarë mendojmë dhe dëshirojmë ne, jeta vazhdon ritmin dhe rrugën e saj ndryshe, siç po ndodh edhe në këtë fillim viti. Nëse urimet e festave që shkuan ishin si zakonisht, për një të ardhme më të mirë e më të begatë, në paqe e mirëkuptim me njeri-tjetrin, ky fakt duket se nuk po sjell ndonjë ndryshim nga ato që pafundësisht njerëzimi pret që t’i përjetojë. Nuk po shkoj deri në Paris, në kryeqendrën e rrezatimit të emancipimit dhe kulturës botërore, për t’ju futur atij problemi aq të ndërlikuar e tepër absurd të aktit terrorist dhe krejtësisht kriminal që ndodhi atje të mërkurën e kësaj jave, ku forcat më të errëta të racës sonë i bënë atentat mendimit dhe fjalës së lirë, por duke u hedhur një vështrim të sipërfaqshëm ca ndodhive të këtij fillimviti tek ne, mund të bindesh katërcipërisht për kotësinë e përpjekjeve që bëhen këtu në të shumtën e rasteve dhe gjatë gjithë kohës. Ta nisim që nga ato ditë të Krishtlindjeve, festa e paqëtimit dhe e reflektimit, kur ndërsa për pensionistët dhe të varfrit e tjerë të këtij trualli, jepej një shpërblim përbuzës, si ndaj lypësve të rrugës, nga ana tjetër, deputetët, ata që i kemi zgjedhur për të zgjidhur hallet tona, përkundrazi, nëpërmjet ca ligjeve a vendimeve që morën, u rregulluan e u mbërthyen për vete, siç deshën, duke ju shtuar xhepave të tyre pa fund të ardhura të tjera financiare, sikur të ishin ca hiena të pangopura nga gjaku që i thithin pa pushim këtij populli! E njëjta gjë vazhdon edhe këto ditë të para të këtij viti, ku vihet re po ajo kundërvënie mes nevojave të turmës ndaj pushtetit, që larg çfarëdo interesi të të tjerëve, përpiqet të përforcojë ambiciet e tij që kanë të bëjnë me pasurimin e mëtejshëm të kastës që përfaqëson. A nuk është i tillë problemi i ndërtimit absurd buzë Digës së Liqenit Artificial të Tiranës i ca godinave shumëkatëshe, që edhe pse është tepër shqetësues për fatet e banorëve dhe të vetë mjedisit natyror të kryeqytetit tonë, ndaj të cilit po kryhet ky krim urbanistik, megjithatë, forcat politike dhe ato qeverisëse, të lidhura mesa duket në afera të ndryshme korruptive, i kanë mbyllur veshët dhe sytë, duke i kthyer shpinën protestës së shoqërive civile dhe shqetësimit mbarëpopullor për këtë çështje, ç’ka tregon edhe njëherë për atë hendek të madh që vazhdon të thellohet mes palëve, ku njëra lufton për mbijetesë, ndërsa tjetra për të shtuar milionat e paligjshëm. Me këtë ngopje me lugë bosh, pra, në këtë sfond ngjarjesh, ngarkuar edhe me vrasje gati të përditshme, ku fjala “burg” për energjinë e vjedhur elektrike është kthyer gati si një refren që e dëgjojmë kudo, madje të lakuar edhe nga një fitues në shfaqjen tradicionale gati gjysmëshekullore, si Festivali i Këngës në RTSH (!?), përfshi edhe copëza të tjera shqiptare si ngritja e çmimeve për naftën, kur bota e ka ulur atë në nivelet më të ulëta, nuk mund të mos bëj pjesë edhe sporti ynë, sidomos me këtë zhurmën e bërë këto ditë rreth të ashtuquajturës “merkato” të futbollit. E ngjashme më shumë me “tregun e Gabit” të shpërndarë kudo nëpër rrugicat e kthinat e të gjithë qyteteve, kjo shit-blerje e futbollistëve nuk mund të të mos bëjë përshtypje për artificialitetin dhe shëmtinë që paraqet në të gjithë aspektet e saj. Kur tek “Vllaznia” flitet e shkruhet se ka futbollistë që nuk paguhen prej disa muajsh, atëherë ç’pret për blerje të këtyre ditëve nga kjo skuadër, apo ndonjë tjetër që edhe pse qëndron prej kohësh nga fundi i renditjes së kampionatit, edhe për shkak të dobësisë financiare të klubit përkatës, megjithatë thuhet se për gjysmën tjetër të garës do t’na afroka për formacionin e saj, jo pak por tre lojtarë kolumbianë?! Me çfarë do t’i paguajnë këta lojtarë të huaj, edhe pse fare anonimë për nivelin e tyre, kur nuk kanë para’ as për futbollistët vendës? Rast tjetër që tregon për krizën e përgjithshme që ka përfshirë futbollin tonë, të cilin disa servilë vazhdojnë ta lavdërojnë deri në paturpësi, edhe pse ai na shfaqet lakuriq dhe i neveritshëm në çdo qelizë të tij, është ai i “Flamurtarit” të Vlorës që si pa gjë të keq, i dha shqelmin gati gjysmës së titullarëve, ku ndonjëri prej të cilëve u shpreh se i kishte “falur” disa rroga e këste klubit në fjalë, vetëm që të shkëputej prej tij!? Ndërkohë të tjerë, pak “më të vegjël”, si Bekim Kuli, e lë ekipin e tij të “Besës” në gjendjen më delikate që mund të ketë qenë ndonjëherë, atje nga fundi i renditjes në kategorinë inferiore ku ka rënë, sepse, siç është shprehur ai, nuk ishte në gjendje ta mbante atë dhe kolegët e tjerë, pikërisht nga mungesa e burimeve financiare. Ndërkohë, “mrekullia shqiptare” vazhdon kur dëgjon poshtë e përpjetë se dikush nga ky vend i paradokseve na paska blerë një klub futbolli jashtë kufijve tanë, kur dihet se këta “pronarë” mbijetojnë këtu vetëm nëpërmjet spekulimeve!…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: