Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme. Pas 1 orë e 20 minuta para prokurorëve të SPAK, Tahiri u shpreh për mediat se ishte thirrur për t’u pyetur në lidhje me protestën e “21 janarit” ku u vranë 4 mbështetës të opozitës socialiste. Saimir Tahiri ka qenë një nga organizatorët e protestës së 21 janarit 2011. Si ministër i Brendshëm, Tahiri ka bërë një kallëzim në vitin 2015 prej ndaj Lulzim Bashës, paraardhës i tij.

“U pyeta për rolin që kam pasur në datën 21 janar dhe kallëzimin që kam bërë në vitin 2015. I qëndroj pikë për pikë asaj që kam thënë. Roli im ka qenë protestues. Të gjithë kemi qenë protestues. Është një ngjarje që duhet zbardhur. Shpresoj shumë të zbardhet”, tha ai.

Referuar fjalës së tij në Kuvend në 2015, Tahiri pretendon se Basha është personi që ka dhënë urdhër për hedhjen e lëndëve kimike mbi protestuesit gjatë demonstratës së opozitës në 21 janar 2011.

“Ministri juaj i Brendshëm ka dhënë urdhër që të ngriheshin helikopterët dhe të hidhnin lëndë homogjene mbi demonstruesit tek piramida . 21 janar, në librin e shënimit rezulton: Gjenerali, ora 14:54 urdhri asnjë lloj zjarri pa zbatuar ligjin kundër demonstruesve, por edhe kjo është e korrigjuar dhe mbi të ishte shkruar, asnjë lloj zjarri pa dhënë urdhër. Të dy shënimet duket me sy të lirë që janë të korrigjuar. Po kështu rezulton nga kqyrja se vetëm në datën 21 janar ka falsifikim dhe korrigjim të urdhrave, në këto kushte SHKB ka depozituar sot kallëzimin për bashkën në akuzën shpërdorim detyre i cili ka dhënë një urdhër të kundraligjshëm pasi nuk është në kompetencën e ministrit drejtimi i operacionit dhe përdorimi i lëndëve kimike.  Kjo është padia e depozituar sot për një ministër që rezulton se ka dhënë urdhër të ngrihet helikopteri dhe të hedhë lëndë kimike ndaj protestuesve“, shprehej Tahiri rreth një dekadë më parë.

Gazetarja Klodiana Lala zbardhi detaje nga dëshmia e Tahirit para prokurorëve të Posaçëm. Sa i takon çështjes së tij në Gjykatën e Lartë, Lala tha se ende nuk ka një datë për shqyrtimin në themel të çështjes finale. Lala tha se Saimir Tahiri pret pafajësi. “Tahiri është cilësuar fajtor për shpërdorim detyre dhe dënimin po e kryen në shtëpi sipas vendimit të Gjykatës së Elbasanit. Tahiri pret të ketë një seancë për çështjen finale në Gjykatën e Lartë ku ai pret pafajësi”.

Lala tha se SPAK do të thërrasë ditët në vijim deputetë, ish-deputetë, drejtues të PS si organizatorë të protestës, ish-zyrtarë të atëhershëm përfshirë edhe ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Lulzim Bashën, ish-ministër i Brendshëm.

Për 21 janarin, SPAK ka pyetur një numër të lartë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh. Dje ishte në Prokurorinë  e Posaçme deputeti i PS, Xhemal Qefalia. Do thirren të gjithë personat, deputët dhe ish-deputetë të PS që kanë qenë organizatorë të demonstratës së 21 janarit. Nga ana tjetër do të pyeten edhe zyrtarët më të lartë të kohës përfshirë edhe ish-kryeministrin Sali Berisha që do të japin sqarime në lidhje me vrasjen e 4 protestuesve. Kujtojmë që në 21 janar 2011 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit u vranë Faik Myrtaj, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Ziver Veizi. Vetëm dy nga vrasjet kanë autorësi, ndërkohë që dy të tjerët mbeten pa autor. Për këtë arsye po kryhen hetime nga ana e SPAK në bazë të kallëzimit të të vesë së Aleks Nikës. Në pyetje do të merret edhe Lulzim Basha. Berisha dhe Basha akuzohen nga e veja e Aleks Nikës si përgjegjës për vrasjen e protestuesve. Do të dojë 1 vit kohë pë të përfunduar hetimi dhe për të patur një verdikt final sa i takon përgjegjësisë së personave që mund të kenë patur lidhje apo mund të kenë urdhëruar vrasjet e 21 janarit. Në vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt janë dënuar Agim Llupo dhe Ndrea Prendi, dënimet kanë qenë të ulëta për vrasje nga pakujdesia, vendim që është pritur me kritika të shumta. Vitin e ardhshëm pritet të ketë një finalizim të hetimeve dhe një verdikt nga SPAK”. 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb