Rifillimi i operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës ka zhvendosur 142,000 njerëz brenda një jave, tha sot zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke shprehur shqetësimin për pakësimin e ndihmave humanitare.
“Vetëm në një javë, 142,000 njerëz janë zhvendosur dhe ky numër pritet të rritet,” tha Stephane Dujarric, duke kujtuar se 90% e popullsisë së enklavës palestineze ishte zhvendosur tashmë të paktën një herë midis 7 tetorit 2023 dhe zbatimit të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit në janar 2025.
“Hapësirat e disponueshme për familjet për të mbijetuar po pakësohen,” shtoi ai për gazetarët nga Nju Jork, duke vënë në dukje se 17% e Rripit të Gazës tashmë i nënshtrohet urdhrave të evakuimit nga autoritetet izraelite.
“Bombardimet e pamëshirshme dhe urdhrat e evakuimit të përditshëm të kombinuara me bllokadën e vazhdueshme” të ndihmës humanitare për një muaj dhe “mohimi sistematik i aksesit humanitar për anëtarët e organizatave humanitare” kanë një “ndikim shkatërrues tek 2 milionë banorët”, tha ai, duke theksuar se të gjitha burimet në Gaza janë “shterruese”.
“Partnerët humanitarë po na paralajmërojnë se rezervat e ilaçeve, gazit për gatim dhe karburantit thelbësor për funksionimin e furrave të bukës dhe ambulancave janë jashtëzakonisht të ulëta”, tha ai.