Të paktën pesë persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën në një sulm të armatosur në qytetin bregdetar Manta të Ekuadorit perëndimor, tha policia lokale.
Sulmi ndodhi rreth orës 23:00 sipas kohës lokale, kur burra të armatosur me pushkë dhe pistoletë qëlluan në një shtëpi ku po zhvillohej një mbledhje familjare në Manta, në provincën perëndimore të Manabi.
Jose Erazo, kreu i policisë së Mantës, tha për shtypin lokal se të vdekurit ishin katër burra dhe një vajzë tetë vjeçare.
“Një nga të vdekurit ishte një shtetas kolumbian, i cili kishte precedentë penalë në vendin fqinj”, tha Erazo.
Erazo tha se videot nga kamerat e sigurisë treguan se të paktën gjashtë sulmues në dy automjete dhe një motoçikletë hynë në kompleksin e banesave dhe sugjeruan se sulmi mund të ishte për shkak të një mosmarrëveshjeje midis dy organizatave kriminale.
Manabi është një nga provincat më të dhunshme në Ekuador, sipas policisë, e cila ia atribuon dhunën pranisë së bandave kriminale që konkurrojnë për kontrollin e territoreve për aktivitete të paligjshme.
(A.A/BalkanWeb)