Të paktën katër palestinezë kanë humbur jetën, ndërsa 40 të tjerë u plagosën pasi Izraeli bombardoi tendat e civilëve të zhvendosur në oborrin e Spitalit “Dëshmorët e Aksasë” në Bregun Perëndimor, raporton Anadolu.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të lajmeve të Palestinës, WAFA, ushtria izraelite bombardoi tendat në kampusin e spitalit në qytetin Deir al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Si pasojë e sulmit ndaj tendave ku qëndronin civilët e zhvendosur, shumë palestinezë kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur, si dhe është përhapur zjarr në tendat dhe flakët kanë vazhduar të përhapen.
Sipas informacionit që burimet shëndetësore në rajon kanë ndarë me gazetarin e Anadolu-t, theksohet se në zjarr janë djegur rreth 30 tenda të palestinezëve. Zjarri ka vazhduar për rreth 45 minuta.
Në sulm humbën jetën katër palestinezë, përfshirë një fëmijë dhe një grua, kurse 40 të tjerë janë plagosur në mënyra të ndryshme.
Burimet shëndetësore thanë se trupat e të vdekurve janë djegur plotësisht, ndërsa të lënduarit kanë pësuar kryesisht djegie të shkallës së dytë dhe të tretë.
Qeveria në Gaza: Tendat në kampusin e spitalit u bombarduan për të shtatën herë
Ndërkohë, sipas deklaratës me shkrim të Zyrës për Media të Qeverisë në Gaza, ushtria izraelite ka kryer sulm për të shtatën herë në tendat ku qëndrojnë civilët e zhvendosur në kampusin e Spitalit të Dëshmorëve të Aksasë.
Avionët luftarakë të Izraelit, edhe më 10 janar, 13 mars, 22 korrik, 4 gusht dhe 27 shtator kishin bombarduar tendat e palestinezëve të zhvendosur në kampusin e spitalit që gjendet në Deir al-Balah.
Nga ana tjetër në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje ku disa persona janë përfshirë nga flakët dhe dëgjohen britma gjatë zjarrit në kampusin e spitalit.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, 42.227 palestinezë, përfshirë rreth 17 mijë fëmijë dhe 11.378 gra humbën jetën, ndërsa 98.464 persona u plagosën.
Gjithashtu nën rrënoja dhe përreth rrugëve ende ka kufoma të të vrarëve, ndërsa ekipet shëndetësore dhe të Mbrojtjes Civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat për shkak të pengesave nga forcat izraelite.