Nga: BLEDIAN KOKA*
Ndër të paktat raste kur kam mbajtur një qëndrim të moderuar për një ndodhi të këtyre kohëve të fundit është rasti i sulmit me vezë ndaj kryeministrit. Personalisht, nuk jam tifoz i asnjë lloj shfaqjeje të mospëlqimit ndaj autoritetit, qoftë edhe me aktin më minimal të dhunës, nuk i miratoj protestat e dhunshme në asnjë rast. Edhe unë si Damian Gjiknuri, në filozofinë time pëlqej më shumë Gandin se Çe Guevarën, edhe unë si Edi Rama, pëlqej më shumë forcën e argumentit sesa argumentin e forcës!… Thënë ndryshe, pëlqej më shumë vezën e skuqur sesa të qëlloj me vezë. Kam dashur të kuptoj se si një student apo një grup, e shohin si zgjidhje të reagimit të tyre të qëllojnë kryeministrin e vendit të tyre me vezë. Për të kuptuar më shumë, kam parë edhe rastet analoge të këtij episodi të së hënës, kur me vezë është qëlluar Arnold Shvarceneger në garën për mandatin e dytë si Guvernator i Kalifornisë, kur është qëlluar me vezë Ed Milliband si ish-lider i opozitës britanike, se si është qëlluar presidenti i Gjermanisë etj., por sërish pa marrë një përgjigje. Ditën që ndodhi incidenti me kryeministrin Rama, po shkoja në Shkozë, ku ndodhen studiot e “News 24”. Rrugës u këmbeva me autokolonën kryeministrore që zbriste nga Surreli. Ishte ora 8 e mëngjesit. Në mes të autokolonës dallova kryeministrin Rama të ulur mbrapa në “Mercedesin” e tij, ndërsa po kontrollonte celularin. Ishte i vrenjtur, siç shfaqet zakonisht edhe në publik. Nuk e di pse atë çast kur e pashë, e ndjeva që diçka do të ndodhte atë ditë. Sinqerisht nuk e di pse. Por në atë moment tentova të kuptoj ngrysjen e tij që në pikë të sabahut dhe me këtë ndoshta po tentoj të shpjegoj edhe pse-në e incidentit me vezë. Qeveria e kryeministrit, që prej marrjes së mandatit, është fakt që nuk ka arritur të rrëmbejë qoftë edhe një herë të vetme, miratimin e publikut për asnjë nga aksionet e saj në moton “Ne dimë të bëjmë shtet”. Nuk ka arritur të marrë konsensusin për mbylljen e lojërave të fatit, sepse ato sot janë shumuar 10 herë më shumë sesa ishin para “superaksionit”, nuk ka arritur të marrë aspak konsensusin për aksionin kundër Lazaratit, kur një vit pas atij aksioni, “Lulja e së keqes” tashmë nuk mbillet vetëm në “vendin e origjinës”!… Nuk arriti aspak të marrë konsensusin e opinionit publik për aksionin kundër vjedhjes së energjisë. Një aksion që prodhon 7 “krisma të thata” në familjet shqiptare më parë se të kërkojë “Hosanan” e lavdisë, duhet të mbajë zi dhe zi nuk është mbajtur. Për të mos folur që investimi i parë që bëhet me paratë e marra dhunshëm nga xhepat e shqiptarëve, në të parin investim që përdoren, është ai për zyrat të reja të OSHEE-së. Në të njëjtën kohë kur vetë kryeministri ankohet se Shqipëria “ndriçohet” në 80% të saj me telat e Enverit. Rama nuk ka arritur të marrë mbështetjen e opinionit as për aksionin kundër informalitetit. Jo se ai nuk është i nevojshëm, absolutisht! Porse qeveria nuk arrin ta trajtojë atë ashtu siç është, një aksion në dobi të vetë shqiptarëve dhe jo si një mundësi e artë për të mos rënë në burg. Burg, burg, burg!… Aq shumë e përdori Rama këtë fjalë këta dy vjet, saqë sot, me gjasë nuk ndihet më si Kryeministri i Shqipërisë, por si Kryegardiani i saj. E pra, puna e një gardiani burgu nuk është një punë që të sjell sadisfaksion. E, nga ana tjetër, edhe premtimi i tij para shqiptarëve në sallën e Kuvendit “nuk keni parë asgjë akoma” duket se është kthyer në mallkim personal. Shqiptarët nën qeverisje-aksionin e Edi Ramës, nuk po arrijnë të shohin më shumë prosperitet, nuk po arrijnë të shohin më shumë punë, nuk po arrijnë të shohin më shumë drejtësi, liri ekonomike, mundësi për t’u strehuar. Moratoriumi i ndërtimeve është ende në fuqi për të gjithë shqiptarët, përveç 6 prej tyre, që morën leje këto ditë dhe të gjithë e dimë se kush janë. Sot shqiptarët janë më të pasigurt, janë më të pashkolluar, janë më pak të kuruar nga ana shëndetësore. Një fëmijë 9 vjeç, Kristi Maze, po rënkon në sy të shqiptarëve dhe qeverisë prej një viti për 200 mijë euro. Veza që u lëshua nga studentët të hënën në drejtim të Edi Ramës nuk duhet lënë të bjerë në tokë. Rama bën mirë që të mos e kalojë këtë incidentet vetëm duke ndërruar kostumin dhe kollaren e të shfaqet sikur asgjë s’ka ndodhur, në mbledhjen e grupit kuvendor socialist. Edi Rama duhet ta marrë vezën e studentëve e të fillojë të bëjë me të së pari një omëletë. Një omëletë që të ushqejë shqiptarët që kanë një vit që po turren kufijve të Europës për të ngrënë qoftë edhe një vezë në mëngjes, kushedi se në cilin kamp. E më pas, pasi t’i ketë ushqyer sadopak, t’u gjejë atyre një punë, t’u mundësojë atyre një siguracion, t’u mundësojë atyre një jetesë normale, ku në fund të muajit ata të kenë mundësi të paguajnë energjinë, të kenë mundësi të paguajnë taksat, të kenë mundësinë të shkollohen, të mos e shohin mbjelljen e hashashit si “E vetmja rrugë”, por si “Lulet e së keqes”. E pas incidentit të së hënës, të cilin, siç e thashë edhe njëherë unë nuk e miratoj, i vetmi mendim që më vjen në kokë është një këshillë për vetë kryeministrin: Bëj diçka mor mik, se ke 2 vjet që s’ke vënë një tullë, s’ke hapur një kantier, s’ke shpëtuar një njeri në nevojë shëndetësore, mos bli “Jaguar”-ë, por bli ambulanca; s’ke lënë askënd pa kërcënuar me burg. Thënë kjo, dreqi ta hajë, në 2 vjet s’ke skuqur asnjë vezë!…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: