Kultura nuk mbeti pas në vëmendjen e kryeministrit Rama gjatë konferencës së sotme me gazetarët. Ndërsa tregoi projektet, ai e ndali vëmendjen te debati për Teatrin Kombëtar dhe sqaroi pse duhet të nisë projekti i ri i teatrit.

Rama tha ndër të tjera se ata që akuzojnë qeverinë për pandjeshmëri, duhet të hedhin një sy nga projekti i stadiumit të ri në mes të Tiranës.

“Zhvillimet për Teatrin Kombëtar janë shumë të vjetra, më vjen edhe mirë edhe keq që vazhdon një debat për një temë që duhet të ishte ezauruar 20 vjet më parë. Ka shumë njerëz që ngatërrojnë muret me historinë, historinë me nostalgjinë. Dua të them se sëpari nëse ka një njeri apo forcë qeverisëse që nuk mund të akuzohet për mungesë vëmendje ndaj trashëgimisë kulturore ky jam unë, kjo është forca jonë qeverisëse. Kur unë kam filluar përpjekjet për ta shpëtuar trashëgiminë kulturore, kompleksi i ministrive ishte i mbushur me shkrime, me fjalë të pista me spraj, mbinin fiqtë mbi taraca se mbeturinat liheshin aty dhe ktheheshin në pleh. Shikoni stadiumin, dhe ja ku e keni ndjeshmërinë dhe se si kjo vlerë e trashëgimisë bashkohet me vlerat e realitetit. Godina e TK nuk është as verbëri dhe as indiferencë, por realitet. Godinë e ndërtuar nga ushtria italiane për argëtim pas pune, jo për Teatër Kombëtar. Nuk ka qënë aty projekti pas luftës, ka mbetur si rezultat i pamundësive. Ai është sot i degraduar në pikën që është e parikuperueshme. Nëse do të kishte vlerë nga pikëpamja arkitektonike dhe do kishte hapësirë për të pasur aty teatër do ishte bërë, nuk është e mundur të restaurohet, se po të ishte do na kushtonte më pak se godina e re. Asnjë cm i truallit të teatrit nuk do përdoret për zhvillim privat, ky projekt do jetë pas murit rrethues të teatrit”,- tha Rama.

“Deri në fund të vitit, çelim dyert e TOKB që më në fund transformohet. Kemi filluar projektin e Bibliotekës Kombëtare, teatrin e ri të fëmijëve, po diskutojmë për projektin e një strukture binjake në raport me historinë, por pak më tutje se sa historia e Bunk’art dhe Shtëpisë së Gjetheve, njëkohësisht po punojmë për projektin e një muzeu te ri për shpëtimin e hebrenjve të luftës. Në shtator do fusim në procedurë pr/ligjin e shumëpritur të sportit duke i dhënë përgjigje pyetjeve dhe kërkesave të komunitetit të sportit dhe nuk po zgjatem më shumë se ju merreni me gjëra më të rëndësishme se sa kultura, ekonomia apo shëndetësia”,- iu drejtua i gazetarëve.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: