Nga: Ola Mitre*

TIRANE- Vizita shëndetësore te mjeku i familjes do të jetë falas edhe për personat e pasiguruar. Përmes një ndryshimi në ligjin “Për Sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në RSH” përcaktohet se do të jetë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ai që do të marrë përsipër të mbulojë me shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor këtë kategori. FSDKSH sqaroi për “Gazeta Shqiptare” se “falas do të jetë vetëm vizita që kryen mjeku i familjes, ndërkohë që sa i takon procedurës që do të ndiqet në këtë rast, mjafton që çdo person të paraqitet pranë qendrës shëndetësore për të marrë shërbimin, pa ndonjë dokument që vërteton statusin e tyre”. Deri dje, personat e pasiguruar përfitonin vizitën tek mjeku i familjes kundrejt tarifës prej 1 000 lekësh. “Pavarësisht se nga pikëpamja teorike sigurimi shëndetësor mbulon potencialisht të gjithë popullatën, një pjesë e saj, e cila nuk vërteton dot statusin ‘i siguruar’ të qënit i siguruar në momentin e nevojës për të marrë shërbime shëndetësore, detyrohet të paguajë për vizitën te mjeku i familjes”, sqaron ‘Fondi’. Ndërkaq, përveç lehtësimit të pacientëve, ofrimi falas i këtij shërbimi duket se do të eliminojë edhe pagesat nën dorë, që sipas FSDKSH-së kanë qenë prezente, duke shmangur pagesën e tarifës prej 1 000 lekësh. “Mekanizmat e sistemit shëndetësor ekzistues favorizojnë shmangien e kësaj pagese, madje kanë favorizuar zëvendësimin e saj me pagesën nën dorë. Ky fakt konstatohet edhe në raportimet që kemi në lidhje me të ardhurat e realizuara nga vizitat te mjeku i familjes, ku pagesat nga të pasiguruarit rezultojnë shumë të pakta. Kështu, gjatë vitit që kaloi këto të ardhura kanë qenë 107 milionë lekë, nga të cilat rreth 2 milionë lekë llogariten të jenë nga vizita e të pasiguruarve te mjeku i familjes. Pra, ato përbëjnë më pak se 2% të totalit të të ardhurave dytësore të krijuara nga qendrat për të gjitha shërbimet e tarifuara që ato ofrojnë për popullatën”, sqaron ‘Fondi’.
Volumi i punës
Ndërkaq, parë nga këndvështrimi i volumit të punës së mjekut të familjes në vitet e fundit, të dhënat tregojnë se në totalin e numrit të vizitave të kryera prej tyre, evidentohen rreth 2 000 deri 3 000 persona të pasiguruar që kanë përfituar vizitën e mjekut kundrejt pagesës së tarifës në fuqi. “Referuar të dhënave më sipër, volumi i punës i përballuar nga mjekët në kujdesin parësor ka qenë dhe vazhdon të jetë i konsiderueshëm, veçanërisht në zonat urbane. Gjithsesi, në këtë kontekst ndryshimesh, me synimin drejt mbulimit universal, u miratua ky ndryshim ligjor. Ofrimi i vizitës falas tek mjeku i familjes për personat e pasiguruar do të sjellë sigurisht një fluks më të lartë të vizitave në kujdesin parësor, por mendojmë që me masat e marra nga ‘Fondi’ për recetën 2-mujore dhe shtrirjen e E-Recetës, mjeku i familjes do të ketë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të përballuar fluksin”, sqaron FSDKSH. Ky ndryshim ligjor nuk kërkon fonde shtesë, pasi pagesa e mjekut të familjes mbështetet mbi numrin e banorëve të territorit që ai mbulon, pavarësisht statusit të popullatës (e siguruar apo jo). Ndërkohë që, ai ende nuk ka hyrë në fuqi, pasi pritet botimi në Fletoren Zyrtare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: