Idriz Daullja, zv.Drejtor i Policisë së Tiranës, në emisionin Opinion në News24, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pak ditë më parë, ku u qëllua për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar, Martin Cani, tha se autori i dyshuar ishte i shoqëruar nga një shok. Daullja tha se Policia ka marrë dëshmitë, ka mbledhur pamjet filmike, sikundër edhe dëshmitë dhe ka arritur në përfundimin se ka vetëm një autor. “Ne nuk kemi ende një person që të provojë dëshminë e dhënë se ka pasur dy autorë”, tha Daullja.
Ai ka pohuar se nuk ka një pamje të plotë filmike lidhur me atë që ka ndodhur nga momenti i parë deri në momentin e vrasjes, por shtoi se nga një pamje rezulton se autori ishte i shoqëruar nga një shok, ka pamje që duken të shtyra me duar, por nuk ka pamje që të ketë përdorimin e thikës.
Daullja tha se nuk ka pamje filmike të momentit të goditjes me thikë, por ka pamje nga vendi i ngjarjes.
Ai tha se edhe dëshmia e fëmijës së plagosur është vlerësuar, ka disa ekzaminime të tjera që priten përgjigje.
“Kemi edhe një kushëri të Luizit, fëmijës së plagosur, që nuk pretendon se ka pasur një person të dytë me thikë aty”, tha Daullja.
Zv.Drejtori i Policisë së Tiranës tha se kemi 9 persona të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, ndërsa po vlerësohen të gjitha rrethanat.
“Ne kemi 9 persona të përfshirë. Nga vendi i ngjarjes autori i dyshuar është larguar në këmbë, ka takuar një shokun e shkollës, por jo i përfshirë në ngjarje, e ka marrë me monopatinë e ka çuar në një qendër shëndetësore.
Aty i kanë thënë që plaga ka nevojë për një trajtim tjetër dhe i është thënë të shkojë në spital, pas kësaj autori i dyshuar ka hipur në një taksi”, tha Daullja. Sipas tij, autori i dyshuar ka ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes, dhe ka takuar këtë shokun me monopatinë, i cili ka qenë 100 metra larg vendit të ngjarjes, pra s’ka qenë në vendin e krimit.
(BalkanWeb)