MAQEDONI

Të gjithë të punësuarit e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim të cilët do të transferohen në Agjencinë për Siguri Kombëtare e cila pritet të formohet, do t’i nënshtrohen filtrimit duke kaluar edhe edukime shtesë. Në një brifing, zv.drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim si dhe drejtuesi i grupit për reforma në shërbimet sekrete, Siljan Avramovski, tha se gjatë planifikimit të reformave janë marrë parasyshë edhe vërejtjet e Pribesë për mentalitetin e të punësuarve në DSK, si institucion nga i cili gjeneruan përgjimet masive ilegale. Të punësuarit që do të transferohen fillimisht do të kenë trajnime nga NATO, mentor dhe punë provë 6 mujore në Agjenci.

Propozim-ligji për Agjencinë për Siguri Kombëtare parashikon përfaqësim të drejtë etnik tek të punësuarit por mbetet të shihet nëse kjo do të zbatohet edhe në pozicionet drejtuese.

I pyetur se pse Agjencia për Siguri Kombëtare do të ketë të drejtën e përgjimit edhe pa ndërmjetësimin e Agjencisë Teknike Operative, Avramovski tha se kjo mundësi është parashikuar për shkak të kërcënimeve nga terrorizmi dhe nevojës për ndërhyrje të shpejtë. Sipas tij, pajisja e përgjimit me të cilën do të disponojë Agjencia për këto raste, në asnjë rast nuk do të mund të aktivizohet pa certifikuar dhe regjistruar paraprakisht, pa urdhër të gjykatësit suprem dhe pa kohën dhe datën e sakt të aktivizimit dhe ç’aktivizimit të masës së përgjimit, shkruan Alsat.

Propozim-ligjet e përgatitura nga grupi i punës për reforma në shërbimet e sigurisë pritet të mbërrijnë në Qeveri gjatë javës së ardhshme kurse më 1 qershor, pritet që Agjencia të operojë. Aktualisht po kërkohet lokacion për vendosjen e Agjencisë për Siguri Kombëtare, e cila do të funksionojë jashtë MPB-së dhe do të jetë organ i pavarur. Roli i saj parashihet të jetë preventiv kurse të punësuarit në asnjë rast të mos kenë autorizime policore, gjë të cilën e kanë pasur deri tani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: