Fillimisht lot, më pas festa në stilin e tij, me cigare dhe duke kërcyer. Sergio Conseiçao brenda pak ditësh fiton ambientin në Milano, fiton tifozët pasi mposhti dy rivalët e përjetshëm, mbi të gjitha i dhuroi një trofe duke triumfuar në finale kundër Inter. Ky ishte një skenar perfekt, mbase i paimagjinueshëm, por në fund fakt është që tekniku portugez bëri atë që askush më parë nuk e kishte arritur, i dhuroi një trofe Milanit me vetëm 2 ndeshje në dispozicion. Conseiçao nuk e fshehu gëzimin për këtë sukses të madh, por fillimisht u kujdes ta ndante me lojtarët këtë arritje:

“Jam shumë i lumtur për djemtë, nuk ishte e lehtë pasi nuk ishte një ambient perfekt. Magjinë e sollën lojtarët, arritën në kohë të përftonin mesazhet tona, por sigurisht duhet të përmirësojmë shumë. Në këto katër muaj që kanë mbetur mund të zhvillojmë një kampionat dhe Champions në nivel të mirë. Ky Milan ka karakter, arritëm të përmbysnim rezultatin kundër dy ekipeve të mëdha, por nuk duhet të kemi frikë, duket të kemi kurajo për të rikthyer Milanin e madh”, u shpreh Conceiçao pas triumfit në finale.

Të humbasësh një derbi pas avantazhi të dyfishtë nuk është një gjë që kalohet lehtë, këtë e reflektoi qartë edhe Simone Inzaghi: “Është një humbje e rëndë, por nga këto humbje mund të rritesh. Duhet të nxjerrim mësime, unë i pari, pasi të humbasësh një finale pasi je në avantazh të dyfishtë të bën keq”, u shpreh Inzaghi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb