Kryeministri Edi Rama kërkoi votën e të rinjve në 11 maj, duke deklaruar se PS është një “tren” i cili nuk mund të ndalojë pavarësisht nga “balta” që hidhet në drejtim të saj. Ai shtoi se Tirana është “lokomotiva” e socialistëve, duke paralajmëruar fitoren në këtë qark në 11 maj.
Gjatë fjalës së tij në Kuvendin Rinor, Rama e quajti opozitën “kënetë” dhe kryetarin e saj, Sali Berisha “buf” të stërplakur. Një mesazh kryeministri kishte edhe për analistët duke i quajtur “bretkosa mediatike”.
“Por nuk është vetëm e sotmja premtuese dhe perspektiva e sigurt e teknologjisë së lartë. Që nga sot 100 ditë do ta bëjnë shumicën e votuesve të parë dhe do t’i bëjnë të rinjtë dhe të rejat e sotëm që ta refuzojnë kënetën opozitare dhe bufin e saj të stërplakur e t’i thonë “sikter” të gjitha bretkosave politike dhe mediatike. Ata do t’i bashkohen trenit të PS-së në 11 maj nga Tirana, “lokomotiva” jonë, që sa më shumë do të përpiqen ta ndalojnë duke hedhur baltë nëpër shina, aq më shumë do të jenë të shkelur nga populli i Tiranës me votën e 11 majit që nga Shkodra e deri në Vlorë sepse Shqipëria po bëhet dhe kudo nga Tropoja në Konispol ku toka quhet Shqipëri, po krijohet një mundësi. Sot mbështetja për të gjithë të rinjtë në Shqipëri apo emigracion që duan të investojnë në tokën e gjyshit në fshat për të ndërtuar bujtinë apo agroturizëm është shumëfishuar. Ata do të përfitojnë edhenga paketa e re e maleve e cila ka kaluar në Qeveri dhe është në rrugën e Parlamentit, edhe nga linja e re e financimit të Bankës së Shqiëprisë prej 250 mln euro ku qeveria do të kujdeset në mënyrë të veçantë ku të rinjtë e interesuar të gjejnë sa më shumë veten”, tha Rama.
(BalkanWeb)