Të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim dhanë sot mesazhe me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë.

“Sot, më 8 Dhjetor, ne, të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim, ftojmë të gjithë të rinjtë të marrim në dorë fatet tona dhe të së ardhmes së vendit për një Shqipëri si gjithë Evropa!”, thuhet në mesazhin e një prej të rinjve të LRI.

“8 Dhjetori është një ditë simbol e guximit rinor, e ndryshimit dhe e forcës që kanë të rinjtë për të ndikuar. Por sot, Shqipëria është larg ëndrrave të brezit tonë sepse Rinia është detyruar të jetë larg saj”, shprehet një tjetër e re e LRI.

Një tjetër mesazh i të rinjve është se, “rinisë i është vrarë shpresa, mundësitë dhe shanset e barabarta. Të braktisur, të pa mbështetur, me një sistem arsimor të degraduar, të papunë apo të keqpaguar, detyrohen te largohen nga vendi për një jetë më të mirë”.

“Është koha që t’i themi ndal axhendës antikombëtare të shpopullimit dhe të luftojmë që shqiponjat të kthehen në folenë e tyre dhe të fluturojnë lart, ku e meritojnë ëndrrat e tyre”, shprehet një tjetër e re.

Ata dhanë mesazh edhe për arsimin. “Arsimi ynë nuk na përgatit për tregun e punës. Ne kërkojmë arsim cilësor, pune të mirë paguar dhe politika që mbështesin rininë si forca e së ardhmes.”

“Nuk mund të heshtim më! Të ngrihemi për të rrëzuar ata që vranë ëndrrat tona. Zëri ynë meriton të dëgjohet dhe të respektohet!” – shprehet një prej të rinjve të LRI.

“Kërkojmë mundësi për të jetuar dhe punuar me dinjitet në Shqipërinë tonë. Kjo është e drejta jonë! Partia e Lirisë është Partia e Rinisë”, theksojnë ata.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: