Përveç pankartave thumbuese për deputetët e rinj e shashkave të hedhura në nisje të Kuvendit, të rinjtë e PD kanë vazhduar “provokimin” e tyre para Parlamentit. Gazetari Klajdi Bodlli raporton për “BalkanWeb” se ata kanë vijuar të hedhin shashka e gurë në oborrin e Parlamentit edhe pas atij momenti.

Pankarta thumbuese e shashka te Kuvendi
Ora 09:58-Ndërsa na ndajnë pak minuta nga nisja e seancës së sotme Parlamentare, gazetarja Dorjana Bezat raporton se para godinës kanë mbërritur disa të rinj të Partisë Demokratike. Ata mbajnë në duar pankarta thumbuese për deputetët e rinj që kanë marrë mandatin, duke aluduar se janë të blerë me 300 mijë euro e sipër nga qeveria.

Pasi kanë ngjitur pankartat, raportohet se të rinjtë kanë hedhur edhe shashka para Parlamentit e më pas janë larguar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Megjithëse nuk ishte paralajmëruar asnjë protestë nga ana e opozitës, policia e Tiranës ka marrë gjithë masat për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.

Është pothuajse i njëjti plan masash por me një numër më të ulët punonjësish policie. Janë gjithsej rreth 300 punonjës policie në ruajtje të Parlamentit, forcat “Shqiponja” dhe FNSH . Po ashtu raportohet të jetë formuar një kordon me punonjës rendi dhe atyre të Shqiponja-ve mes tyre, po ashtu ka edhe femra përgjatë gjithë rrethimit ku vërehet se të gjithë janë të pajisur me kundragaz. Nuk mungon as gardhi metalik në 2 anët e pedonales për të ruajtur hyrjen pa incidente të deputetëve. Pranë godinës së Parlamentit është vendosur Garda e Republikës. Në rrethimin e xhamisë së Namazgjasë janë pozicionuar FNSH, zjarrfikëset dhe autoambulancat. Në godinat e larta pranë Parlamentit janë forcat RENEA.
5
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb