TIRANË- Të rinjtë serbë dhe shqiptarë, të cilët morën pjesë në Shkollën Verore për Dialogun Ndërkulturor të të Rinjve në Epokën Dixhitale, e cila u zhvillua në periudhën 26-30 korrik 2015, u pritën sot nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
Gjatë takimeve, të rinjtë u shoqëruan nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig dhe nga Këshilltari i Parë i Ambasadës Serbe në Tiranë, Jugoslav Djordjević.

“Shkolla verore që ju ndoqët përgjatë kësaj jave, është vetëm fillimi i aktiviteteve të përbashkëta në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e rinisë, firmosur ndërmjet Qeverisë Serbe dhe Qeverisë Shqiptare në Tetor 2014. Përmes kësaj marrëveshje, Qeveritë e të dy vendeve tona synojnë krijimin e një sinergjie të përbashkët që në një formë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të mbështesim të rinjtë, në mënyrë që bashkarisht të arrijmë synimet tona, në të gjitha fushat që ndërlidhen për përmirësimin e jetës ekonomike dhe shoqërore të të rinjve”, tha Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “rinia është 1/3 e popullsisë së vendit tim. Ndaj politikat e Qeverisë Shqiptare janë të orientuara drejt krijimit të mundësive të punësimit dhe nxitjes së vetëpunësimit të të rinjve, drejt edukimit dhe mbrojtjes sociale të të rinjve me aftësi të ndryshme, drejt mbrojtjes së shëndetit të të rinjve dhe përfshirjes së të rinjve në politikbërje dhe vendimmarrje”. “Bashkëpunimin në fushën e rinisë ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe asaj Serbe, ne së bashku synojmë ta shtrijmë në rajonin e Ballkanit dhe të krijojmë një model mirëkuptimi, paqeje dhe stabiliteti, por dhe një mjedis të përshtatshëm për të rinjtë në rajon. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë që unë drejtoj, gjeti një bashkëpunëtor të shkëlqyer te Ministria homologe që mbulon fushën e Rinisë në Serbi, Ministria e Rinisë dhe Sporteve Serbe, në realizimin e Shkollës Verore me të rinj shqiptarë dhe serbe”, nënvizoi Klosi.

Ndërsa ministrja Kumbaro u shpreh se “ne mund të këmbejmë informacione , mund të prodhojmë ide që lindin nga ngjashmëritë dhe ndryshimet midis dy vendeve në aspektin gjuhësor dhe tradicional dhe këtij informacioni nuk i duhet pasaporta, apo nënshtetësia. Kultura është një tokë pa kufi dhe bashkëbisedimi kulturor në epokën dixhitale na i afron akoma më shumë shkëmbimet”. Të rinjtë serbë treguan eksperiencën shqiptare të qëndrimit, duke e cilësuar të rëndësishme në njohjen dhe kuptimin e tjetrit. Nga diskutimet mes të rinjve, Ministres Kumbaro dhe Ambasadorit Raunig u theksua domosdoshmëria e bashkëbisedimit kulturor me mjetet e komunikimit dixhital.

“Epoka dixhitale dhe komunikimi përmes teknologjisë na afron në kohë reale dhe na bashkon në rrugën e nisur drejt integrimit evropian, rruga jonë e sigurt dhe e pakthyeshme”-shtoi Ministrja Kumbaro.
Me ndihmën e një ekipi të përbërë nga trajnues shqiptarë dhe serbë, i cili kishte në përbërje ekspertë nga Ministritë e Rinisë së të dy vendeve, si dhe duke vepruar në një mjedis që krijonte kushtet për një pjesëmarrjeje aktive, të rinjtë diskutuan dhe ndanë përvoja e ide rreth sfidave me të cilat përballet rinia shqiptare dhe serbe në ditët e sotme: Përfshirja e të rinjve në jetën publike dhe politike; politikat rinore të të dy qeverive; promovimi i vlerave demokratike dhe nxitja e dialogut ndërkulturor; roli i medias në dialogun ndërkulturor; kundërshtimi i paragjykimeve dhe stereotipave. Aktiviteti u organizua bashkërisht nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë dhe nga Ministria e Sporteve dhe Rinisë e Republikës së Serbisë, në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar Rinor të Serbisë dhe me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Misionit të OSBE-së në Serbi.

Aktiviteti u organizua në zbatim të Memorandumit të Mirëkuptimit për Rininë të përfunduar nga kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë një vit më parë me qëllim ndërtimin e urave ndërmjet rinisë shqiptare dhe serbe. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është përfshirë në mënyrë aktive gjatë viteve të fundit me anë të shumë projekteve me qëllim forcimin e ndjenjës së angazhimit qytetar dhe përgjegjësisë ndërmjet të rinjve, si dhe për t’i ndihmuar ata që t’i dëgjohet zëri në procesin vendimmarrës.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: