TIRANË

Vizita e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Tiranë ka qenë në fokus të debatit të sotëm në “Real Story” në News24, nisur dhe nga deklaratat e tij për gylenistët dhe atë që Turqia e konsideron organizatë terroriste FETO, të kundërshtarit të Erdogan Fetullah Gylen.

Analisti Fatos Lubonja tha se Turqinë nuk duhet ta identifikojmë me Erdogan dhe Shqipëria nuk duhet t’i shërbejë njëri kundër tjetrit.

Sipas tij duhet të ruhen marrëdhëniet historike, por jo të bëhet loja e një diktatori.

“Ne duhet të kemi raporte të mira me Turqinë. Por Turqinë nuk duhet ta identifikojmë me Erdogan, me një person, por si Turqi. Le të marrim konfliktin Erdogan-Gulen, pse duhet të futemi ne t’i shërbejmë njërit kundra tjetrit. Aq më tepër kur ata që Rama i quan si partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët nuk i marrim në diskutim fare vendimet e tyre, thotë Lulzim Basha që janë SHBA-të, ata janë kundër Erdoganit në këtë aspekt. Ne fare mirë duke ruajtur ato ndjenjat historike që na kanë lidhur edhe pse aty ka kontradikta, por duke i ruajtur këto marrëdhëniet historike s’kemi pse futemi të bëjmë lojën e një diktatori. Siç është rasti në fjalë dhe t’i çojmë atij viktimat dhe të shkelim disa parime me të cilat pastaj mund të abuzohet dhe në vendin tonë ndaj shqiptarëve. Këtu duhen ndarë këto dy gjëra. Raporti i mirë, por ama…ajo është diplomacia për të cilën ai djali flet”, deklaroi Lubonja.

Sipas tij, nëse humb Erdogan dhe kthehen gylenistët, Shqipëria do ketë njollën e një vendi vasal që i shërben diktatorit të radhës së atij vendi.

“Edhe kur tha Draghi këtu në Itali që ky është diktator, pati një lloj reagimi nga disa, por e mbështeti shumica e italianëve, politikanëve, gazetarëve. Tha një fjalë shumë të rëndë dhe raportet e Italisë me Turqinë sigurisht janë shumë më të rëndësishme, bëjnë shumë më tepër zhurmë.

Në këtë aspekt mundet që Shqipëria dhe në këtë rast udhëheqësia jonë të kishte gjetur një formë tjetër.

Ai nuk e përdor atë gjuhë në asnjë vend tjetër përveç Shqipërisë. Atë gjuhë që përdori ai për Gulenin dhe gulenistët. Nuk i ka thënë (Trump) që do humbsni sigurinë dhe do viheni në rrezik. Ai ka kërkuar që ai t’i kthehet duke insistuar që ky është një njeri që ka bërë krime. Kjo ka pasoja nesër. Le ta marrim sikur një moment i caktuar, humbi ky dhe u kthyen gylenistët. Si do jesh ti si Shqipëri me marrëdhëniet. Do kesh njollën e një vendi vasal që i shërben diktatorit të radhës të atij vendi. Pse duhet të kemi këtë njollë ne?”, tha Lubonja.

Ai theksoi më tej se aq sa jemi kishat e xhamitë duhet t’i ndërtojmë vetë sepse janë pjesë e identitetit, simbol i atij komuniteti që kemi.

Ndërkohë deputeti i PS, Etjen Xhafaj tha se sistemi ndërkombëtar diplomatik nuk është demokraci.

“Në qoftë se rrimë dhe i diskutojmë gjërat vetëm në parim, hajdeni mbetemi vetëm në parim. Në praktikë sistemi ndërkombëtar diplomatik nuk është demokraci. Ti nuk i zgjedh interlokutorët dhe do duhet të diskutosh me të gjithë ata që ke përballë. Po sigurisht, disa nga themelet e politikës së jashtme të Shqipërisë janë të palëvizshme. Aleanca jonë me SHBA-të, vokacioni jonë europian, aleancat që kanë qenë dhe në rajon dhe presidenti Erdogan e përmendi dhe sot, 5 vendet aleatë. Dy të tjerët janë Italia dhe Greqia, por sigurisht nga 2013 është shtuar dhe Turqia, si një nga aktorët më të mëdhenj ekonomikë në rajon dhe këto janë ndryshoret.

Investimet e huaja shkojnë në ekonomi në bazë të madhësisë së ekonomisë për t’i përthithur. Çdo vend i vogël duhet të luajë një rol shumë më proaktiv për politikën e jashtme me të gjithë aktorët”, tha Xhafaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb