NGA ERJON SKËNDAJ*


TIRANË- Studentët e diplomuar shkëlqyer në fakultetin e infermierisë po i largohen gjithnjë dhe më shumë tregut shqiptar të punës, të orientuar kryesisht drejtë Gjermanisë që po shfaq interes të shtuar për infermierë profesionist nga vendet e Ballkanit.

Denada është një prej të sapodiplomuarëve në degën e Logopedisë me nota maksimale. Ajo thotë se mezi pret të nisë karrierën e saj si infermiere në shtetin gjermanë ku nëse njeh mjaftueshëm gjuhën rroga nis nga 1.500 euro.


“Aspiratat janë për jashtë, për në Gjermani besoj edhe me gjuhën gjermane jam shumë mirë po bëj një kurs sepse atje duhet gjuha gjermane. Shpresoj të ja dal”, thotë Denada Allajbej e diplomuar ekselente në infermieri.


Të tjerë të diplomuar në infermieri shkojnë dhe më larg duke preferuar më mirë një punë në Kanadanë e largët sesa në spitalet shqiptare, gjithnjë nëse do të pranoheshin.

“Kam fituar të drejtën për të studiuar nivelin master në Kanada dhe mezi pres të vijë muaji janar që të nis shkollën atje”, thotë Megi Jaupi e diplomuar ekselente në infermieri.

Vetë dekani i fakultetit të infermierisë, Petrit Bare pohon se fenomeni i largimit legal të të sapodiplomuarëve drejt Gjermanisë është edhe më i gjerë nga sa duket.

“Për këtë vit mund të shkojnë në Gjermani 500 të diplomuar. Gjermania ka në plan të marrë 1000 infermierë në vit në dijeninë time. Që në mbledhjen e ardhshme të senatit do të propozoj që gjuha gjermane të jetë një gjuhë me zgjedhje për studentët”, deklaron Profesor Petrit Bare, Dekan i Infermierisë.

Bare përjashton mundësinë që fluksi emigrator në radhët e infermierëve të krijojë boshllëqe në sistemin shëndetësorë në vend.

Ndërkohë vetë qeveria po e reklamon si një mundësi të artë punësimin legal të profesionistëve shqiptarë në Gjermani  duke stimuluar mësimin e gjuhës gjermane që në sistemin parauniversitar.

“Kanë aktualisht në sistem gjermanishten disa nga shkollat më të njohura në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Shkodër. Departamente të gjermanishtes janë të hapura në universitet e Shkodrës, Vlorës dhe Tiranës”, tregon zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.

Edhe për analistët hapja e Shqipërisë drejt tregut gjerman të punës vlerësohet si një ndër arritjet më të mëdha në 25 vite vitet e fundit, parë dhe nga kriza që po kalon vendi.

“Duke qenë profesion dhe profesion i kërkuar në Europë, do të jetë si dallëndyshet që ushqejnë shpresat dhe për profesionet e tjera për të arritur atë që është themelorja në Shqipëri arsimi profesional dhe jo universitetet fals”, thotë Shpëtim Nazarko, gazetar analist.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: