MIRDITË
Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me 33 të shoqëruarit në Mirditë.
Sipas policisë, të shoqëruarit kanë protestuar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu, policia shprehet se qytetarët kanë bllokuar lëvizjen në aksin Milot – Morinë.
Pasi ka vlerësuar situatën, policia ka proceduar të gjithë të ndaluarit në gjendje të lirë.
Të shoqëruarit kanë protestuar kundër ndërtimit të HEC-it në Thirrë e për këtë tubim, janë shoqëruar në polici 33 persona, aktivistë, qytetarë dhe banorë të zonës.
Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për deputet i kësaj force janë mbledhur në protestë para Drejtorisë së Policisë Lezhë duke kërkuar lirimin e tyre.
NJOFTIMI I POLICISË
Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, penguan qarkullimin e mjeteve të transportit dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë, shoqërohen në Komisariatin e Policisë 33 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë dhe Mirditë, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e sotme, në fshatin Thirrë, Njësia Administrative Fanë, Mirditë, kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj 33 shtetasve.
Këta shtetas kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në afërsi të tunelit të Kalimashit, në fshatin Thirrë, Mirditë duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin Milot-Morinë, si dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të zbllokuar qarkullimin e automjeteve.
Materialet në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik “.
Dhjetëra qytetarë të Mirditës kanë protestuar sot, duke kundërshtuar ndërtimin e një HEC-i dhe fabrike uji në fshatrat Thirrë dhe Fang. Forca të shumta të policisë, kishin mbërritur para protestuesve për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm, ndërkohë që pati edhe konfrontim fizik me qytetarët. Besnik Paci, banor i zonës tha para kamerave, se kjo është një vepër kriminale dhe banorët do ta marrin vetë në dorë fatin e fshatit.
Në Thirrë të Mirditës erdhën në mbështetje të protestës edhe qytetarë nga Kosova si dhe organizata të ndryshme, të cilat bënë thirrje për ndalimin e shkatërrimit të natyrës.
(Balkanweb)