Vriten me armë zjarri dy vëllezër në qytetin e Shkodrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në lagjen Kiras.
“BalkanWeb” mëson se bëhet fjalë për vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali, siç mund t’i shihni edhe në foto.
Gazetari Senad Nikshiqi bën me dije për “BalkanWeb” se pas ngjarjes së rëndë është gjetur edhe një makinë e djegur në vendin e quajtur Livadhe, ashtu siç ka ndodhur edhe në ngjajre të tjera kriminale.
Policia e Shkodrës bën me dije se autorët që lëviznin me një “Benz” dyshohet të jenë dy persona të maskuar, të cilët kanë qëlluar me breshëri mbi dy vëllezërit, shumë pranë banesës së këtyre të fundit. Dyshohet se viktimat kanë qenë duke shkuar tek motra e tyre që jetonte shumë pranë tyre. Në ato momente dy personat janë afruar me mjetin tip “Benz” dhe i kanë qëlluar me breshëri automatiku për tu larguar më pas me shpejtësi.
Pista kryesore ku po heton policia ka lidhje me ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Shkodër. Kjo është vazhdë e atyre ngjarjeve që vazhdojnë të marrin jetë njerëzish.
NJOFTIMI I POLICISE
Me datë 30.03.2019, rreth orës 09:45, në lagjen “Guerile” në vendin e quajtur “Zooteknika”, nga persona ende të pa identifikuar janë vrarë me armë zjarri shtetasit A. B. 59 vjeç dhe B. B., 61 vjeç (vëllezër).
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorëve të cilët pas ngjarjes janë larguar me një automjet i cili është gjetur duke u djegur në një rrugicë në brendësi të lagjes ku ka ndodhur ngjarja.
Në ndihmë të Policisë së Shkodrës janë vënë forcat FNSH Shkodër, ku janë ngritur pika kontrolli, si dhe po bëhet krehja në një perimetër të gjerë të zonës me qëllim kapjen e autorëve.
Gjithashtu nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është nisur një grup i posaçëm me ekspertë dhe drejtues të Policisë Kriminale dhe asaj të Rendit për t’ju bashkuar grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Policia e Shkodrës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që çdo informacion sado të vlefshëm që mund të kenë të njoftojnë në numrin 112 ose në numrin 0 69 410 2147 duke ju garantuar ruajtjen e plotë të anonimatit.
(m.a/BalkanWeb)