Personi që qëlloi me armë zjarri ndaj grupit të kontrollit të territorit të policisë vendore Shkodër nuk është arritur që të arrestohet ende.

Një ditë më parë gjatë një aksioni për goditjen e një parcele droge në vendin e quajtur Bjeshka e Parus të Malësisë së Madhe, një shtetas ende i paidentifikuar qëlloi me armë zjarri. Nga të shtënat nuk u raportuan efektivë të plagosur të policisë së shtetit. Ndërkohë menjëherë pas kësaj ngjarje u nisën drejt Bjeshkës së Parus forcat speciale të RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forca të tjera të policisë Shkodër në kërkim të personit që qëlloi me armë zjarri gjatë kontrolleve të policisë për goditjen e parcelave te drogës.

Pavarësisht këtyre kontrolleve, shtetasi që qëlloi nuk ra në gjurmët e policisë duke gjetur shteg për t’u larguar. Për policinë ishte e vështirë gjetja e autorit që qëlloi në drejtim të efektivëve për shkak se Bjeshka e Parus është një territor i thyer malor duke e favorizuar personin në fjalë që uniformat blu e kërkuan në mënyrë intensive.

Ndërkohë forcat RENEA përveç kontrolleve nga toka bashkë me FNSH dhe efektivë të tjerë të policisë së Shkodrës bënë kërkime edhe me helikopter nga ajri për të gjetur autorin që qëlloi me armë zjarri dhe për të bërë më pas identifikimin dhe kapjen e tij por nuk ia dolën.

Ndërkohë ky nuk është rasti i parë që këtë vit ka të shtëna ndaj policisë në kontrollet për parcela droge. Sipas burimeve janë edhe të paktën tre raste të tjera, një në afërsi të Oblikës në Anën e Malit, një rast tjetër në Malësinë e Madhe dhe një tjetër në territorin e bashkisë Vau Dejës.

Puna e policisë në këto zona të thella malore mbetet e vështirë. Në pjesën më të madhe të aksioneve, kur gjenden parcela droge autorët nuk janë aty pasi arrijnë që të largohen pa ardhur policia, kjo për shkak të terrenit malor që i favorizon. Deri më tani, gjatë këtij viti policia ka goditur mbi 300 mijë rrënjë kanabis sativa ndërsa në disa raste ka vënë në pranga autorë të ndryshëm të kultivimit por pjesën më të madhe këto operacione mbeten pa autor. Policia e Shkodrës edhe më përpara ka bërë të ditur se do të vijojë pa ndërprerje luftën kundër kultivimin të bimëve narkotike ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen bashkëpunues si dhe të mos bëhen pjesë e kësaj veprimtarie kriminale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb