Atentat mafioz në Shkodër. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në lagjen “Dobraç”, pranë ish-lapidarit të 5 heronjve ku janë regjistruar të shtëna me breshëri kallashnikovi.
Dy persona kanë ndërruar jetë dhe dy të tjerë që janë plagosur. BalkanWeb mëson se viktimë ka mbetur Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, ky i fundit i njohur si “i forti” i Shkodrës dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Endri Mustafës. Ibrahim Lici ka patur në të kaluarën konflikte me Bajrat.
Ibrahim Lici, në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës
Ibrahim Lici u arrestua vitin e kaluar në Turqi dhe më pas lirua, pasi u refuzua ekstradimi. Hamzai, viktima e sotme, foli nga Turqia, duke thënë se i vëllai ishte i pafajshëm. Por konfliktet mes grupeve vijuan.
Viktima e atentatit të sotëm ka qenë duke lëvizur me një automjet “S Class” në shoqërinë e Arlind Bushatit, djali i ish-kandidatit demokrat për Bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushati.
Dyshohet për 2 autorë të cilët kanë hapur zjarr me një armë kallashnikovi, nga një automjet tjetër në lëvizje.
(BalkanWeb)