NGA: KLODIANA LALA
TIRANE- Gjykata e Lartë dëgjoi dëshmitë e tre efektivëve të policisë në procesin ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Armando Prenga, konsideruar si protagonisti kryesor i përplasjes mes fisit Cali e Prenga, përpara komisariatit të Kurbinit në shtator 2015.

Agim Vathaj, Gjon Kola dhe Lutfi Hima, tre punonjësit e policisë që mbërritën në Lagunën e Patokut, pas përplasjes së dy fiseve, i thanë Kolegjit Penal, se kishin konstatuar se Gjok Cali ishte i plagosur në kokë dhe se ai u kishte thënë që ishte goditur nga Armando Prenga. Mandej, efektivët deklaruan se nuk arritën ta merrnin të plotë dëshminë e Gjok Calit në komisariat, pasi në ambientet e jashtme të godinës, u dëgjuan të shtëna armësh.

Tre policët thane se nuk e kanë parë deputetin Armando Prenga, të ishte i pranishëm në ambientet e jashtme të komisariatit, ndonëse bëhej fjalë për një përleshjes mes një grupi prej rreth 20 personash.
Nga përplasja mes fisit Cali e Prenga, ku kishte si motiv shfrytëzimin e Lagunës së Patokut, mbetën të plagosur shtatë persona, mes të cilëve dhe vëllai i deputetit. Armando prenga akuzohet për plagosje të lehtë me dashje, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.

Ai po gjykohet në gjendje të lirë, ndonëse prej disa kohësh, nuk merr pjesë në seancat parlamentare, ku u rikthye pak ditë pasi la arrestin shtëpiak. Prokuroria ka kërkuar pyetjen e 75 dëshmitarëve, për të provuar akuzat ndaj Prengës. Ndërsa, vetë ligjvënësi pretendon se nuk ka lidhje me ngjarjen e ndodhur fillim shtatorit 2015.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: