SHBA – Një grup zyrtarësh dhe ish zyrtarësh amerikanë nga i gjithë spektri politik do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore të së shtunës për Senatorin John McCain, i cili vdiq të shtunën në moshën 81-vjeçare.

Në ceremoninë që do të mbahet në Katedralen Kombëtare në Uashington nuk do të jetë i pranishëm presidenti Donald Trump. Mediat raportojnë se ndërsa përgatitej për ndarjen nga jeta si pasoje e sëmundjes së rende, senatori McCain kishte deklaruar se nuk donte që Trump të shkonte në funeralin e tij, duke preferuar pjesëmarrjen e nënpresidentit Pence, me të cilin kishte shërbyer në Kongres.

Edhe në prag të vdekjes, McCain, e kritikoi ashpër presidencën Trump, duke qortuar udhëheqësin e SHBA se në takimin e nivelit të lartë të Helsinkit, muajin e kaluar përqafoi qëndrimin e Presidentit rus Vladimir Putin, që tha se Rusia nuk kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Presidenti Trump raportohet t’i këtë kërkuar zëvendëspresidentit Mike Pence që të mbajë një fjalim në ceremoni për nder të ish senatorit. Flamujt në Shtëpinë e Bardhë u ulën në gjysmë shtizë gjatë fundjavës në nderim të senatorit McCain, por u ngritën përsëri të hënën.

Trump nuk përfilli pyetjet e përsëritura të gazetarëve rreth zotit McCain, por pasdite vonë, flamujt u ulën përsëri në gjysmë shtizë. McCain do të varroset të dielën në Akademinë Detare të SHBA në Anapolis të shtetit Merilend, shkolla ku ai kishte studiuar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: