Do të jenë disa deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që do të duhet të lënë mandatin për të nisur një eksperiencë të re politike, për të garuar në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Ndërsa Pjerin Ndreu ka deklaruar se është përzgjedhur tashmë si kandidati i PS-së për Bashkinë e Lezhës, në një foto të postuar prej tij shohim edhe dy të tjerë.

Tre deputetët e PS-së kanë pozuar dje në seancën e fundit të Kuvendit për t’i thënë lamtumirë. Ndreu është në foto me Ilir Xhakollin që do të garojë në Pogradec dhe Rakip Sulin në Kamëz, siç thuhet edhe në mesazhin e koleges së tyre, Evis Kushi që iu uron suksese.

Në foto me ta ka pozuar edhe Ulsi Manja, i cili është përfolur se do të garojë në Dibër, por endenjë gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Do të jetë kryeministri Edi Rama ai që do të bëjë publikë emrat e 61 kandidatëve që do të garojnë për zgjedhjet lokale, nën siglën e PS-së.

URIMI I EVIS KUSHIT

“I uroj shumë suksese kolegëve tanë deputetë Pjerin Ndreu, Ilir Xhakolli dhe Rakip Suli, të cilët së shpejti do të kandidojnë për bashkitë që duam në Lezhë, Pogradec dhe Kamëz! Kam shumë besim që ata do të sjellin modele të reja drejtimi plot vizion dhe projekte që do ta përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve”, ishte mesazhi i deputetes së qarkut të Elbasanit, Evis Kushi, për tre kolegët e saj të zyrtarizuar që dorëzojnë njëkohësisht edhe mandatet.

  • foto galeri
  • foto galeri

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb