TIRANË- Dënime nga më të tmerrshmet kanë artikuluar në masë qytetarët shqiptarë për 24-vjeçarin Ridvan Zykaj, autor i vrasjes së 8 njerëzve të një familje në fshatin Resulaj të Selenicës, të afërm të tij.

Nuk kishte ndodhur kurrë që ndërsa autori ndiqej nga policia me të gjitha mjetet e saj dhe qen pas ngjarjes që tronditi të madh e të vogël, të kthente përgjigje në profilin e tij në “Facebook”. Mijëra njerëz kanë komentuar duke dënuar veprimin e tij, duke shpërndarë foton dhe paralajmëruar për të si një njeri të rrezikshëm.

“Ti presin mishin copa-copa dhe t’ia kripin”, “ta varin me kokëposhtë”, “të dënohet me vdekje”, “të varet në mes të sheshit”, “të digjet i gjallë” …janë këto deklaratat e qytetarëve të ndryshëm në rrjetet sociale apo kudo ku kanë mundësi të shprehen.

Edhe në emisionin e mëngjesit në News24 “Koha për t’u zgjuar”, pjesa më e madhe e shqetësimeve ishte për ngjarjen e Selenicës. Shqiptarët kishin harruar hallet e tyre dhe kanë kërkuar dënim maksimal për autorin që përveçse kreu një masakër të vërtetë gjeti kohë të tallej edhe në rrjetet sociale.
Por ndoshta lidhja e tij me internet mund të ketë ndihmuar policinë për ta lokalizuar më shpejt në zonën ku ishte fshehur.
Por pas disa orësh nga lumi i urrejtjes i derdhur karshi Ridvan Zykajt, llogaria e tij në “Facebook” është mbyllur, ndoshta nga policia apo nga raportimet mbi faqen.

VIKTIMAT E MASAKRËS

Bëhet fjalë për shtetasit:
1- Demir Zykaj, 75 vjec (vellai i gjyshit të autorit)
2- Ferie Zykaj, 72 vjece, (gruaja e Demirit)

3-Besim Zykaj, 42 vjeç (Djali i Demirit)
4-Vasilika Zykaj, (gruaja e Besimit)
5-Sara Zykaj, 17 vjeçe (vajza e Besimit)
6-Ledjon Zykaj, 6 vjec (djali i Besimit)

7-Azem Zykaj (djali i Demirit)
8-Afërdita Zykaj (gruaja e Azemit)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb