Rrallë shumë, por megjithatë ndodh: njerëz që kanë Ikur nga kjo botë, i imponojnë kalendarin e tyre botës së të tjerëve. Në fillim, pak kohë mbas Ikjes, këtyre njerëzve ju përkujtohet Ikja. Sipas zakonit, të afërm e miq, shkojnë e vijnë në varreza në ditën e tretë, të shtatë, të nëntë. Pastaj venë të dielave, e më pastaj ende, mbas 40 ditësh nga Ikja, gjashtë muaj e një vit, bashkë me të dielat në mes, vazhdojnë të çojnë lot e lule në varreza. Ky është pushteti i vdekjes që kushtëzon këtë ritual respekti. Një pushtet që i ul kokën krenarëve, që ngop lakmitarët dhe fal mëkatarët; një pushtet pa cak që u vë kufi pasioneve, vret optimistët, ngushëllon të dobtit e rrafshon të fortët, që miqëson armiqtë dhe që bën të barabartë gjithkënd me çdo kënd.


Më pas ndodh mrekullia. Rrallë shumë, por ndodh! Pushteti i përjetshëm i errësirës griset pak nga pak dhe në vend të ditës së vdekjes, për ca pak fatlumë, nis të kujtohet dita e lindjes. Miq e të afërm, nisin një lloj numërimi krejt tjetër. Këtë vit do të mbushte kaq vjeç, vitin tjetër ka përvjetorin e ditëlindjes. Sa më shumë largohet dita e Ikjes, aq më shumë kujtohet dita e lindjes për fatlumët. Koha shndërrohet në një penel që fshin vragat, shtrin rrudhat, shton dritën në fytyrë dhe photoshop-i i mallit, krijon portretin ideal. Atë portret që tashmë e kujtojnë me më pak lule në varreza, por me verë më të mirë në tryezën ku haet një copë bukë për shpirtin e të Ikurit, që do të bëhet shpejt 61 vjeç.


Në 20 gushtin e 17 vjetëve më parë Teodor Keko, shkrimtari 44 vjeçar i dy epokave, duhet të priste edhe pak ditë për të arritur në 2 shtatorin e ditëlindjes së tij.


Nuk e bëri!

I papritur dhe i paparashikueshëm, spontan, bohem dhe kapriçioz si të gjithë shkrimtarët të cilëve nuk ju shijohet deri në fund vepra, pa ju njohur më parë jetën, ai bëri shakanë e jetës së tij duke ikur shumë përpara kohe.

Qeshi vetë, por shqiptarët i bëri të qajnë.

Edhe ata që nuk e kishin njohur!

Edhe ata që e kishin dashur, edhe ata që nuk kishin dashur kurrë të ishin me të! Shkrimtari është – si rregull dhe jo si përjashtim – rrjedhojë e jetës së tij. Por edhe jeta e shkrimtarit, shpesh shndërrohet në varr të veprave të pashkruara. Edhe i atyre që herë vijnë në shpirt si një frazë e vetme, edhe i atyre që janë net të pagjuma dhe ditë me ëndrra shkrimi. Jeta e Teodor Kekos ishte e tillë, djep dhe varr i letërsisë së tij, një Lojë Loje që u bë edhe Lajmëtare e Vdekjes së idealizmit, në kohën kur një regjim ishte edhe duke dhënë shpirt, edhe duke zgjatur metastazat në sistemin e ri që synonte të përmbyste komunizmit. Duke tentuar ta bëjë fiks me mjetet që do të kishin përdorur edhe vetë komunistët. “Ka ardhur demokracia dhe ne nuk jemi ende demokratë apo nuk ka ardhur ende demokracia për ne demokratët”? Në ngutin për të zgjidhur këtë dilemë, Teodor Keko u shndërrua edhe në politikanin atipik, edhe në gazetarin e angazhuar, edhe në varrmihësin e asaj që ai dinte të bënte më mirë: letërsisë së tij. Që mund të kishte qenë në mos shumë ndryshe, edhe më e shumtë. Por kursi i këmbimit në Tiranë, në kohën e Dorit, kishte provuar fraktura të frikshme; u bë shumë më e shtrenjtë marmida e Range Rover-it se shpirti njerëzor, më e vyer djersa e shtratit se gjaku i trupit, më i ulët qielli i Vagnerit se shtati i çunit t’vogël që desh llokum, më i panjohur Shekspiri se yjet plastikë të Instagramit, më i vlefshëm një fjalim parlamenti se qindra poezi poetësh. Xhuli e Dorit, që tashmë mund të mbajë një Teodor tjetër të ringjallur në krahë, e ka të pamundur t’ja shpjegojë këtë “exchange” Dorit Junior, përveçse t’i thotë se të Vjetrin e Ri, nuk e urrenin as armiqtë. Sepse ai nuk kishte armiq!

Për një koinçidencë të çuditshme, gushti i ka rrëmbyer Tiranës edhe dy personazhe të tjerë. Dy individë të papërsëritshëm dhe të mëdhenj të Tiranës së hershme. Gjergj Xhuvani dhe Fatos Baxhaku, janë dy kulmet e tjerë të një trekëndëshi, që bashkë me Kekon e ikur në gushtin e 17 viteve më parë, do të meritonin si fare pak kush, titullin Njeri! Dhe do të mernin si pakkush gradën Qytetarë.

Sot për ta numërohen ditët e ikjes. Me lot e lule në varreza. Për të tretat, të shtatat, të dyzetat e kështu me rradhë, përvjetorët e Ikjes së Tyre. Shpejt, shumë shpejt, siç ndodh rrallë shumë, por megjithatë lumturisht ndodh, edhe Gjergji e Tosi do t’i imponojnë kalendarin e tyre botës ku kanë jetuar. Dhe atëherë, miqtë e të afërmit e tyre do t’i kujtojnë e do t’u festojnë me verë dhe gaz ditëlindjet, që ata nuk i lejuan t’i bëjnë pleq!

Të vdekurit e fitojnë gjithmonë garën! Dhe ndonjëherë, të gjallët duhen kërkuar pikërisht mes tyre. Mes atyre që kanë lënë pas një bosh drithërues në Tiranë, një boshllëk që nuk mund ta mbushë dot boshi i shumëkujt tjetër në këtë botë instagrami!

*In Memoriam për Dorin, Gjergjin e Tosin