NGA: Judah Grunstein
Tronditja nuk është më pak e thellë, për shkak se është e njohur – si ajo parandjenja e njohjes së ëndrrës së tmerrshme, që e ke parë disa herë. Edhe një herë, telefonata nga “hiçi”, alarmi se rreziku i fjetur ka marrë sërish formë fizike. Përsëri, rrjedha e mesazheve dhe emaileve, në fillim e ngadaltë, dhe më pas e shtuar në intensitet. Edhe një herë, rrëfimet që marrin formë, më shumë prej natyrës se sa zakonit, ndonëse nuk është më e lehtë të bësh dallimin: ku ishim, me kë ishim, çfarë po bënim, kur e mësuam. Tashmë gjestet formojnë një ritual, një ritual në të cilin ne që ndodhemi në Paris, dhe të tjerët në qytetet e shumtë prej ku na vijnë mesazhet e merakut, e kemi përsosur.


Pastaj janë elementët e rinj që e bëjnë të ndryshme këtë herë; që na detyrojnë të krahasojmë këtë sulm, me paraardhësin. Sëmbimi i alarmit këtë herë nuk vjen prej befasisë – që paradoksalisht pritej – por për shkak të demokratizimit të masakrës. Herën e kaluar, ishte një masakër e tmerrshme, e pasuar dy ditë më vonë, nga një tjetër. Këtë herë ishte një shpërthim i koordinuar kasaphanash nëpër qytet. Herën e kaluar, viktimat ishin vënë në shënjestër për atë që ishin, apo atë që kishin bërë. Këtë herë, plumbat u lëshuan kudo, pa dallim. Herën e kaluar u sulmuan vlerat e një kombi dhe popullit të tij. Këtë herë, në shënjestër ishin vetë kombi dhe populli i tij.


E megjithatë, pavarësisht ritualit të njohur të frikës dhe rrezikut, apo për shkak të tij, është e vështirë të shquash temat e fshehura që zënë vend në rrëfimet tona, personazhet që popullojnë këto drama brutale, si fantazma. Si për të ilustruar natën e 13 nëntorit, ishte spektakli makabër i një stadiumi të mbushur me tifozë futbolli, që panë një ndeshje të luhej deri në fund, të painformuar për shkak të mungesës së mbulimit të celularëve, për tre atentatet vetëvrasës që po ndodhnin në dyert e stadiumit. Transmetimi i drejtpërdrejtë vazhdoi i pandërprerë, pa u përmendur tmerret e natës nga komentatorët që, ashtu si ne që shihnim nga shtëpia, ishin të informuar. Fakti që ndeshja ishte mes Francës dhe Gjermanisë, vetëm sa vë më shumë theksin në atë se si, ritualet e gjakderdhjeve të të kaluarës, tashmë të venitur, i lënë vend të rejave.


Nëse e kam shkruajtur gjithë këtë përmes shumësit të rehatshëm të “Ne”, kjo është një përpjekje për të shmangur ofrimin e narrativës time, për një mbrëmje, tmerrin e të cilës e përjetova përmes lajmeve në televizion, në sigurinë e apartamentit tim, në lagjen e qetë larg prej gjakderdhjes. Por do të përfshinte zemërimin që pasoi me shpejtësi tronditjen dhe frikën fillestare; ndjenjën e mosbindjes që përjetova kur dola për të marrë tim bir që ndodhej në shtëpinë e një miku, në fund të rrugës, dhe kënaqësinë e të diturit që prania ime mundet ende t’i japë siguri këij burri gjysmë të rritur, i cili tani i ndesh sytë e të atit, në pothuaj të njëjtën lartësi; mosbindjen, përsëri, që më bëri të sugjeroj të shkojmë deri tek dyqani që rri hapur deri natën vonë, për të marrë tortën tonë të preferuar me krem karamel; dhe sërish, kënaqësinë time, tek dëgjoja se im bir e kishte kuptuar mesazhin që po përpiqesha t’i përcillja me guximin tim pothuaj komik: Ne duhet të jemi të matur dhe të vetëdijshëm se rreziku është real, më tha kur u kthyem në shtëpi, pasi e pyeta për mendimin e tij, por nuk ka nevojë të biem në panik dhe të biem pre e frikës joracionale.

Nëse shpresoja të shmangia dhënien e versionit tim personal për natën e gjakderdhjeve, kjo ndodh për shkak të parehatisë që ndiej për metodën me të cilën e bëjmë tani këtë gjë, patosin që përdorim për të joshur njëri-tjetrin, që të shkrijmë kufirin që ndan vetveten dhe tjetrin, vetvetet dhe të tjerët, për të krijuar një identitet të përbashkët në këta momente traume të ritualizuar.

Megjithatë, kjo çështja e vetvetes dhe tjetrit është themelore për dramën e gjakut që po luhet përreth nesh, edhe pse shpesh herë shfaqet në ballafaqimin konfuz të pamjeve shpesh herë pa lidhje që na vërshojnë përditë, në jetët tona super të mediatizuara. Natën e kaluar, ishte pamja e tifozëve të tronditur, që me shumë prej dyerve të stadiumit të mbyllura, ishin mbledhur në fushë pas ndeshjes, dhe me rikthimin e sinjalit të celularit ishin informuar për ngjarjet e tmerrshme të natës. E kisha parë këtë skenë më herët, dhe ndërkohë që fjala merrte formë në mendjen time, drejtuesi televiziv po thoshte se kishin gjetur strehim, duke përdorur fjalët “se réfugier”. Pamjet risillnin në mendje të gjithë të tjerat që kemi parë muajt e fundit në Europë, me refugjatë nga Siria dhe Lindja e Mesme të mbledhur në stadiume, në kampe, në hapësira të mbyllura.

Pastaj, gjatë gjithë natës, pati lajme për parizienë që hapnin dyert e shtëpive për të futur të huajt, duke i larguar nga rrugët e rrezikshme. Përsëri, një jehonë e fuqishme e akteve të ngjashëm të bujarisë individuale, që shumë europianë kanë treguar për refugjatët e ardhur këto kohë.

Ky tension mes vetvetes dhe tjetrit, mes mikpritjes dhe strukjes, ishte i dukshëm në reagimin e qeverisë franceze: nga njëra anë, një gjendje emergjence që u shtonte kompetencat forcave të sigurisë për kërkime në shtëpitë e njerëzve me forcë; nga ana tjetërmasa e jashtëzakonshme e mbylljes së kufijve të vendit, për të penguar largimin e atentatorëve, që ende nuk ishin vrarë, që të mos dilnin nga territori francez si dhe për të mos lejuar hyrjen e të tjerëve.

Nuk ishte hera e parë që habitesha të shihja një pamje të prurjeve masive të refugjatëve nga Lindja e Mesme, të shfaqej papritur në Paris. Këtë verën e kaluar, në atë që atëherë dukej si kulmi i krizës por ishte vetëm fillimi, lajmet ishin të mbushura përditë me pamje refugjatësh të dëshpëruar që kalonin Mesdheun – ose ndonjëherë duke vdekur në të – në varka gjysmake.

Një ditë, teksa ecja në një urë mbi Senë, mbeta i shastisur nga një pamje e ngjashme: një masë njerëzish, të mbledhur së bashku, që qëndronin jashtë në një varkë që kalonte, duke tundur krahët sikur të kishin nevojë të shpëtoheshin. Shpejt kuptova se mendja ime kishte zëvendësuar një varkë të mbushur me refugjatë, me atë që në fakt ishte një “bateau-mouche” e mbushur me turistë, që përshëndesnin – “të tjerë”, si refugjatët, por më fatlumë për mikpritjen që u ofrohet.

Kjo çështja e “të tjerëve” që ne mirëpresim dhe atyre që refuzojmë nxit gjithashtu patos, por nuk ka përgjigje të lehtë. Muajin që kaloi, tek lexoja një libër mbi veprat e “Jacques Derrida”, mbeta i befasuar se sa parashikues kishte qenë ai, kur e identifikonte mikpritjen si një problem qendror në një epokë globalizimi, një që lidhej edhe me projektin europian; dhe që e paraqiste mikpritjen, apo hapjen ndaj tjetrit, si një alternativë ndaj imunitetit, ose definicionin negativ të lirisë si mungesë të dëmtimit prej tjetrit, si një rrugë më premtuese përpara për demokracinë liberale, teksa zhvillohet.

Tensioni mes këtyre dy etikave – njëra e mikpritjes së tjetrit, tjetra e mbrojtjes së vetes prej tij – tashmë po shohim të shpërfaqet para syve tanë këtu në EUropë dhe në Lindjen e Mesme. Por të dyja varen nga një konceptim i vetvetes dhe tjetrit, i pritësit dhe refugjatit, që nuk është se gjen më zbatim. Kur mijëra parizienë bëhen refugjatë në Paris, siç ndodhi natën e kaluar, nuk ka më një “këtu” dhe “atje”, nuk ka më një pritës dhe një refugjat. Dhe kur mijëra francezë dhe europianë udhëtojnë në Siri për t’iu bashkuar gjakderdhjes brutale atje, nuk ka më një “tjetër” të rrezikshëm për të përjashtuar. Fushat janë bashkuar, e megjithatë ne po jetojmë ende në një botë ku Parisi dhe Siria janë dy vende të ndryshëm. Sulmet e natës së kaluar, dhe kriza e refugjatëve që qëndron si një fantazmë prapa tyre, treguan se “Parisi” dhe “Siria” janë tani dy emra për të njëjtin vend. Tjetri që ne ishim përpjekur ta përjashtonim është tashmë mes nesh, dhe këtë herë, ai nuk vjen më prej atje, por prej këtu.
The Atlantic – Bota.al
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: