Nga Redi Gjuzi

Prej më shumë se dy muajsh, ka nisur një zhurmë e madhe lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar. Lajmi i parë, ashtu siç qeveria e la të “rridhte fshehtas”, ishte ai i vjetri. Teatri do të ndërtohej nën një kullë. Edhe reagimi ishte ashtu siç e kishte parashikuar qeveria. Aktorët, nga i madhi Ndrenika e deri te të rinjtë humoristë, u tubuan dhe thanë “kurrë nuk do lejojmë që teatri të jetë nën një kullë”. Më pas, propaganda qeverisëse hyri në fazën e dytë.

Teatri nuk do të ndërtohet nën një kullë, por në oborrin e 7 kullave. Kryeministri i ftoi për të shijuar prezantimin (që më vonë doli një plagjiaturë e turpshme) e godinës së re, që do të ndërtohej në gjysmën e sipërfaqes së Teatrit të sotëm Kombëtar. Dhe aktorët u përçanë, disa e pëlqyen godinën e re të teatrit e disa të tjera ishin dyshues. Pardje, u shfaq faza e tretë e strategjisë. Aktorët u tubuan për të debatuar për projektin. Bujar Asqeriu tha se godina ekzistuese ishte e rrezikshme, me sëmundje e viruse. Robert Ndrenika propozoi një tjetër vend ku mund të ngrihet godina e re e Teatrit Kombëtar.

Të tjerë aktorë tregojnë se brenda godinës së sotme nuk ka asnjë lloj kushti. Në fakt, i gjithë debati po shkon sipas parashikimit qeveritar. Sot, shumica dërrmuese e aktorëve janë dakord me shembjen përfundimtare të godinës së paraluftës dhe ndërtimit të një godine të re. Janë dakord, sepse flasin si aktorë dhe jo si intelektualë. Aktorët nuk janë pronarë të godinës së teatrit. Si punëtorë të artit atyre qeveria i ka bërë një tjetër godinë teatri, “Turbina”. (Edhe qeveria me emrin që i ka vënë teatrit të ri, i trajton si punëtorë hidrocentrali).

Aktorët nuk mund të vendosin, a do shembet apo jo godina e italianëve të paraluftës. Është njësoj sikur të pyesësh punonjësit e Kryeministrisë, a duan apo jo të shembet godina e të ndërtohet një kullë me Kryeministri brenda. (Zoti na ruajttë, se mund t’i shkojë në mend dhe dyshimet janë që do pranojnë). Ndaj e gjithë kjo lojë me aktorë që flasin e heshtin për godinën është pjesë e një strategjie të menduar paraprakisht nga ata që i duan kullat mbi rrënojat e historisë së këtij qyteti. Ka vetëm një rast kur aktorët mund të flasin për godinën. Si intelektualë. Por sjellja e tyre deri sot, kur merren me rrotativin e skenës, apo me dhomat e gardërobës, është tërësisht pro qeveritare.

Sigurisht, që teatri i ri mbi godinën e të vjetrit, do të ketë rrotativ, edhe drita, edhe ngrohje edhe ftohje, edhe gardërobë. Pyetjet teknike të aktorëve i ngjajnë pyetjeve të atyre gazetarëve me lugë në brez, që i drejtojnë mikrofonin qeveritarëve me dilemën e madhe: Si ka mundësi që keni bërë kaq shumë, në kaq pak kohë? Ndaj sot, aktorëve u kërkohet të sillen si intelektualë. Dhe deri më sot, nuk ka pasur ndonjë intelektual të Tiranës së vjetër, që të jetë dakord me shembjen e godinës së italianëve të paraluftës. Sepse asnjë intelektual, sado cinik e i kapur, nuk mund të kapërdijë një shkatërrim të tillë të identitetit kombëtar. Në rast se aktorët do vazhdojnë të sillen si punëtorë arti, atëherë ose janë pjesë e strategjisë së qeverisë, ose meritojnë të punojnë te “Turbina”.

***
Para disa vitesh, Tirana ka njohur dy tërheqje të qeverisë përballë protestës për shembjen e godinave. E para, ishte tërheqja e qeverisë Berisha, kur vendosi të shembte piramidën e Enverit. Në atë kohë, intelektualët dhe shoqëria civile dolën e protestuan para godinës së 1988-s dhe e frenuan qeverinë. (Për turpin e tyre, këta intelektualë e kanë të zënë totalisht kohën e tyre dhe nuk bëzajnë për shembjen e godinës së paraluftës). Rasti i dytë, ishte ai i shembjes së një hoteli, ndërtuar mbi një rrugë, pas 15 katëshit në Tiranë.

Kur qeveria Berisha vendosi ta shembte, ishin deputetët e Partisë Socialiste në opozitë, që protestuan dhe u përleshën me Policinë për të ndaluar shembjen. Dhe ia dolën. Sot, opozita shqiptare, e cila të paktën si emërtim i takon të djathtës, pra, traditës dhe konservatorizmit, është strukur në godinën e saj dhe hesht. Për koincidencë është strukur në një godinë që njihet si Shtëpia e Oficerëve të Enverit (SHQUP). Nuk dihen arsyet, pse PD mjaftohet vetëm me një deklaratë komuniste kundër formës së investimit Partneritet Publik-Privat dhe nuk mbron mosshembjen e teatrit si një godinë historike e qytetit, si traditë.

A thua, është dakord me një skemë tjetër për shembjen e godinës së Gherardio Bosio, që ta kënaqë edhe atë? Apo janë infektuar nga materiali i ndërtimit të godinës ku kanë selinë dhe e quajnë teatrin vepër të fashizmit?

***
Ndaj, godinën e teatrit, sot, s’ka kush ta mbrojë. As aktorët që sillen si punëtorë arti, as intelektualët që qanë për piramidën, as edhe opozita që më shumë ka problem sa para do fitojë ndërtuesi i lidhur me pushtetin, sesa shembjen e historisë së qytetit. Në këto kushte, ndoshta teatri duhet shembur. Një popull ka qeverinë që meriton, edhe opozitën që meriton, edhe aktorët edhe intelektualët që meriton. Sot, ky qytet, ndoshta, nuk e meriton godinën e Gherardio Bosios.

Ndoshta, kërkon shembjen e teatrit të vjetër dhe ngritjen e godinës e re, plagjiaturë e një arkitekti danez nga një arkitekte ukrainase. E habitshme si përsëritet historia në këtë qytet. Ishin nga Bashkimi Sovjetik, edhe projektet e para që ndryshuan Tiranën pas 1945. Baballarët e atyre që mbronin piramidën nga shembja, i morën nga ajo anë e globit arkitektët, që rrafshuan Pazarin e vjetër. Nga ata i mësuan si të shembnin Bashkinë në qendër të Tiranës, për të ndërtuar makabritete me mermer varri si Pallati i Kulturës e Muzeu Kombëtar. Edhe atëherë, ata që erdhën në Tiranë dhe merrnin vendimet, pëlqenin më shumë Pallatin e Kulturës se portën e Pazarit, Muzeun Kombëtar më shumë se Bashkinë e vjetër.

Edhe atëherë, si tani, ndërtoheshin godina sovjetike mbi ato italiane për popullin, ndërsa paradoksalisht, pushtetarët jetonin në vilat e modelit italian, që ia kishin zaptuar tregtarëve të paraluftës. Duke huazuar një etiketim të deputetit Dashamir Shehi, do kemi një teatër që do i kënaqë fort “gjysmë katundarët” e rinj të Tiranës dhe do i mërzisë fort qytetarët dhe intelektualët, aq pak sa kanë ngelur. Dhe kjo, sigurisht, që nuk është ndonjë krenari e madhe, është thjesht dhunë ndaj traditës. /Panorama – http://www.panorama.com.al/teatri-cdo-popull-ka-qeverine-opoziten-dhe-eliten-qe-meriton/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: