TIRANE – Një orë para nisjes së seancës plenare, mazhoranca do të shqyrtojë në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për teatrin.


Mbledhjen e lajmëroi këtë të mërkurë kreu i Komisionit socialisti Eduard Shalsi. Ndërkohë mësohet se shumica socialiste do ta rrëzojë dekretin presidencial, duke i hapur rrugë më pas nisjes së procesit për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.


Ende nuk ka informacion nëse opozita do të jetë pjesë e mbledhjes së komisionit parlamentar, kur do të shqyrtohet dekreti presidencial.


Në dekretin e datës 11 tetor, Presidenti i Republikës Meta, ktheu për herë të dytë në Parlament ligjin për teatrin. Në dekretin presidencial theksohej se ligji i ri nuk ofron asnjë zgjidhje për problematikat kushtetuese të konstatuara më parë.

Kreu i Shtetit nënvizoi se në ligj, me gjithë ndryshimet e bëra nuk garantohet barazia e subjekteve private në ndërtimin e teatrit.

Po ashtu, Presidenti vlerësonte se veprimtaria e Kuvendit, ishte e pambështetur në ndonjë vlerësim tekniko-ligjor, për çështjet e ngritura në dekretin e tij të parë për të njëjtën çështje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb