Hartimi i listave të deputetëve nga dy partitë kryesore në vend dhe pastaj marifetet e partive të reja e paratha nivelin e legjislaturës 2025-2029. Listat e mbyllura, prej të cilave dalin një pjesë e madhe e deputetëve dhe mbështetja indirekte për personazhe të caktuar tek listat e hapura e bëjnë parlamentin tonë të jetë një institucion gati i emëruar prej vullnetit dhe dëshirës së kryetarëve respektivë të PS-së dhe PD-së, Rama-Berisha. Ky është një shqetësim që nuk adresohet më, e para ngaqë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, paçka se si interpretohen sot, ruhen me fanatizëm nga socialistët dhe demokratët; kurse e dyta, sepse është e pamundur të ndryshohet një rrjedhë që u volit aq shumë një amalgame që i është ngjitur parlamentit.
Hartimi i listave, hatërmbetjet, ngulmimi për të qenë me çdo kusht, lëvizjet pa asnjë bosht ideologjik të shumë përfaqësuesve, emrat dhe kinse atributet politike te lista e mbyllur e PDsë, struktura e përbërjes së koalicionit “Shqipëria Madhështore”, “rinovimi” dhe futja e individëve pa peshë në listat e mbyllura të PS, katrahura me emrat te listat e mbyllura të partitë e reja e shtoi atë shqetësim që për publikun po kthehet në grotesk: njerëzit që na përfaqësojnë janë shumë më poshtë se mëtimi që shqiptarët kanë për drejtuesit e tyre. Dhe, kur mendon se parlamenti ynë ka 140 ulëse, ku në masë të madhe kemi individë, të cilët nuk i njohim dhe kontributet e tyre veç ngritjes së kartonit janë nul, të lind perceptimi se ky parlament duhet zvogëluar medoemos në një masë që t’i shërbejë sa më shumë publikut dhe shqetësimeve të vendit në mënyrë sa më profesionale, konform fushave të ndryshme të interesave të vendit dhe tjetra t’i përshtatet demografisë së vendit.
Zyrtarisht vendi ynë ka 2.4 milionë banorë, por opozita mëton se ku të vijë në pushtet do të bëjë padi për rezultatet e censit që ata e përcaktojnë si më poshtë se 2 milionë banorë. Reforma parlamentare është më shumë se e nevojshme të bëhet nëse vendi ynë do të kërkojë t’u përgjigjet realisht problematikave të ndryshme, por edhe angazhimit të madh që do ketë këtej e tutje me hapjen e grup-kapitujve të ndryshëm të integrimit, proces që po ecën me një hap të paimagjinueshëm për shqiptarët. Në Kuvendin komunist para vitit 1990 ngrinin kartonin plot 250 deputetë, të cilët përfaqësonin të gjithë shtresëzimin social të vendit nga punonjësit dhe fshatarët e thjeshtë deri tek akademikët dhe intelektualët më të spikatur të kohës. Mblidheshin fare pak gjatë legjislaturave, miratonin çdo gjë dhe kjo inerci vazhdoi deri në vitin 1992, kur vetë deputetët bënë një punë të mirë duke e shkurtuar numrin e deputetëve në 140 syresh. Në masën sa dhe si përfaqësojnë, specialistët kanë gjetur se ky numër është tejet i fryrë dhe kushtues krahasuar me një masë të madhe vendesh evropiane e më gjerë, sa i përket përfaqësimit popullsi-deputet të parlamenteve respektive.
Këtë e vërteton dhe cilësia, e cila lë shumë për të dëshiruar e tyre. “Legjislatura aktuale, sipas edhe raporteve periodike të ISP-së, ka shfaqur dobësi të ndjeshme në aspektin e cilësisë së jetës parlamentare, nivelit të angazhimit, si dhe rolit kushtetues të Kuvendit. Incidentet e shumta, përjashtimet kolektive, retorika e ashpër, mungesa e zërave kundër, ligjet e porositura, abuzimi me postin, mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies, si dhe kriza e besimit te parlamenti, ishin dukuri dhe tipar edhe i sesioneve parlamentare të vitit 2024”, – citojmë një nga raportet e fundit të Institutit të Studimeve Politike.
Nëse do të ishim më të thukët: parlamenti shqiptar është shumë për 140 përfaqësues. Jo thjesht barra financiare e mbajtjes dhe shpenzimeve të tyre mund të transferohej për gjëra të tjera, por edhe efikasiteti i munguar i lloj-lloj personazhi pa individualitet, i\e cili\la me paaftësinë dhe broçkullat që thotë është i tepërt. Argumenti demografik e mbështet edhe më shumë idenë tonë, pasi sot ka shumë më pak shqiptarë në vend dhe pret ende një masë e tërë në gatishmëri që të largohet. Hemorragjia e ikjes nuk mund të ndalet nga ligjvënës të mekur, puna e të cilëve më së shumti është të presin mesazhin e radhës së kryetarit në celular dhe shumica urdhrin për t’u turrur në parlament kundër çdokujt.
Aq parazite, e verbër dhe shpesh kokëgdhe është kjo masë e pazë, saqë për shkak të militantizmit me gjasë do t’i kemi sërish në parlament, ndërkohë që do duhej të kishim në vendet e sigurta Alimehmetin, Tabakun ose Erion Braçen e pak të tjerë. Më aktivët duhet të ishin pa asnjë dyshim në grupin përfaqësues të partive politike, kurse ata pa asnjë ide do të duhej që vetë partitë t’i penalizonin në hartimin e listave të reja. Kuptohet nëse do kishte pak moral politik dhe respekt për vendin. Por, a guxon t’ia thotë kush Berishës këtë?! Dash Sula ende po rropatet për paradoksin më të madh të jetës së vet: mbetur pa kandidim edhe pse fitoi në primare, ashtu si të tjerë. A matet dikush para hijes të Ramës të bëjë të njëjtën te PS?! Ndaj cinizmi i Rama-Berishës shkoi edhe më tej: “PS për të maksimalizuar votat pavarësisht praktikave të personalizuara, ndikimeve klienteliste dhe sistemit jo meritokratik të caktimit të listës së mbyllur, – duke vendosur në vende të sigurta qeverinë dhe individë pa profil politik”; kurse “te PD-ja përpjekja kryesore ishte ruajtja e status quo, dhënia e imuniteteve dhe sigurisë për politikanë dhe kryetarët e partive që janë nën hetime, kanë probleme me drejtësinë ose kanë kuota minimale mbështetje publike”, citojmë Institutin e Studimeve Politike. Ajo që mund t’i japë një “tagër” sublimiteti dhe angazhimi është që parlamenti të zvogëlohet numerikisht, në mënyrë që të jetë më i reduktuar nga parazitët por aq mbase t’ia vlejë të përshtatet për mjediset e punës në shtëpinë origjinale, asaj që regjimi komunist e përshtati me ironi si Teatri i Kukullave.
Në fakt, godina mbart vlera të mëdha historike pasi arkitektura e saj ishte një lloj reflektimi i kërkesave të ndryshimeve që po ndodhnin në qytetin tonë, i cili në vitin 1925 edhe zyrtarisht do të ishte kryeqyteti i vendit pas propozimit në vitin 1920. Asokohe shërbeu fillimisht si Shtëpia e Oficerëve dhe më pas u përdor si Parlamenti i parë i Shqipërisë, ku zhvilloheshin rregullisht seancat plenare, mbledhjet e qeverisë, por deri edhe pritjet diplomatike dhe koncerte. Ajo ishte një prej godinave të para administrative në Tiranë e ndërtuar sipas stilit evropian dhe pas luftës do të përdorej për fëmijët sovjetikë. Edhe vetë instinkti i Ramës ndoshta e ka kuptuar kur në godinën e restauruar së fundmi nga UNOPS, në momentin e inaugurimit do të shprehej: “Ju kërkoj ndjesë, sepse sot (fëmijët) kanë ardhur në Teatrin e Kukullave dhe nuk kanë ardhur të shohin në skenë kukulla si puna ime, por mbase po të më konsideronin një kukull, mund të ndihem pak më mirë, sepse përndryshe do ndihesha pak më keq. Këtu ka qenë parlamenti shqiptar dikur. Unë uroj që ju të rriteni duke parë sa më pak parlamentin shqiptar, derisa kur të mos keni mundësi ta evitoni”. Dhe, kryeministri me instinkt nuk gabon kurrë për këtë ide, pasi ashtu si e kanë shndërruar sot parlamentin së bashku me Berishën… kjo zgjidhje ia vlen. (Homo Albanicus)
(BalkanWeb)