Nga: MENTOR KIKIA*
Teatër i shëmtuar në çmendinën tonë” – ky mund të duket si titull romani apo drame, por jo titull i analize nga ato që mbushin çdo ditë faqet e gazetave në përpjekje për të thënë diçka më shumë sesa tregimet e shkruara nga gazetarët e lajmeve për ngjarjet e përditshme. Vendi ishte tronditur muajt e fundit nga shpërthimi i shumë bombave. Por tronditja më e madhe erdhi nga një bombë që nuk shpërtheu.
Kur Tomë Doshi shpalosi skenarin e tij për mënyrën se si ishte organizuar një atentat i mbetur në tentativë dhe se si ishin implikuar në të njerëz të sferës më të lartë të pushtetit dhe shtetit, padyshim që mbetëm të gjithë të shtangur. Jo! Më shumë nuk mund të ndodhte. Që kriminelët kishin vrarë njëri-tjetrit, apo politikanët njëri-tjetrin kishim parë, por kjo ishte e vetme në llojin e saj deri tani. Nëse do të rezultonte fisk, ashtu siç Toma na tha, atëherë nuk kishte asnjë dyshim që shteti, ai që ne paguajmë për të luftuar edhe krimin e organizuar, ishte shndërruar vetë në një bandë kriminale. S’kaluan vetëm dy ditë dhe, ndërsa ne ishim gjithë sy e veshë për të mësuar të reja nga fronti i Tomës, ministri i Brendshëm plasi një tjetër bombë. Edhe më të madhe se ajo e Tomës. E gjithë historia kishte qenë një pjesë dramatike e shkruar dhe vënë keq në skenë, për nga fantazia e ngjashme me atë 4 viteve më parë kur një gruaje, bashkëjetuese e një kandidati për kryetar bashkie, i rrëmbyen foshnjën nga barku, për motive politike, e më pas rezultoi se ajo nuk kishte qenë shtatzënë fare.
Sipas Tahirit, Toma kishte paguar një njeri që të luante vrasësin, njërin që do të interpretonte porositësin dhe dikush tjetër kameramanin që kjo skenë të dokumentohej. Dhe këto histori kishin në epiqendër dy deputetë, një kryetar parlamenti, një kryeministër, një ministër dhe ca horra.
Tani ne nuk mund të besojmë asgjë që mund të thuhet dhe ndodh këtu, në fshatin tonë të madh të mbushur me të çmendur. As Tomën që thotë se shteti kishte organizuar operacionin “Bum-Bum” për ta eliminuar atë, as Tahirin që tha se operacioni ishte i gjithi një lojë. As Tomën, që sërish vazhdon të thotë se kjo ishte e vërtetë dhe na shfaq një video me një njeri, i cili merret në pyetje me përgjigje gjysmë të gatshme. Nuk mund të besojmë as gazetarët-ekspertë e gjysmë prokurorë që na servirin skenar pas skenari për t’i dhënë formë historive të pavërteta. Troç, këtu mund të ndodhë gjithçka dhe të mos besosh më asgjë. Ndërsa Tahiri deklaronte se historia e atentatit ishte sajuar nga Toma dhe që u ngjate atyre skemave që ndërton Tomy për të kapur Jerry-in, prokurori i përgjithshëm sajoi një vizitë te Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ne po mendonim se pas kësaj vizite, kryeprokurori do të lëshonte ndonjë bombë tjetër lidhur me rastin Doshi. Por ai vetëm sa i shtoi një dozë më shumë çmendurisë që kishte përfshirë ndërkohë gjithë shoqërinë. Një foto e shpërndarë nga Doshi tregonte kryeprokurorin e Krimeve të Rënda Eugen Beci, në një tryezë me kunatin e Sali Berishës dhe Tonin (nofka e një njeriu që ishte përmendur si trafikant droge dhe si njeriu që, sipas skenarit të Tomës, kishte porositur vrasjen e tij). Pavarësisht se skenari i Tomës ishte rrëzuar, Toni gjithsesi nuk ishte i denjë për të qenë në shoqërinë e kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, ndaj dhe Llalla e transferoi atë menjëherë, për të pastruar ç’të mundë nga balta që kishte hyrë nëpër zyrat e shtetit.
Opozita nuk kishte si të qëndronte indiferente në një skenë të tillë, e cila ishte fiks për të, ose më saktë, për t’i hedhur benzinë zjarrit të politikës, i cili sikur kishte nisur të zbehej javët e fundit. Edhe në bazë të paralajmërimit të Spartak Brahos se do të kishte surpriza për Berishën nga “çonta” e zezë, seanca plenare e të enjtes nisi mu fiks ashtu siç pritej, ashtu siç e ka hak, ashtu siç e meriton ky parlament dhe populli nuk u zhgënjye. Pavarësisht se një histori thriller u ngrit e u shemb brenda dy ditësh, parlamenti dje u kthye në identitet. Opozita kërkoi me forcë largimin e Metës nga drejtimi i Kuvendit dhe në prag të konfrontimit fizik, Meta e ndërpreu dy herë seancën, duke “thërritur” urgjencën dhe shërbimin mjekësor të shëndetit mendor. Madje, Meta u kujdes shpesh gjatë fjalës së Berishës, që kolegët e tij t’i jepnin ilaçet, kuptohet të shëndetit mendor. Fjalët “të çmendur” e “të sëmurë psiqikë” u përdorën për herë të parë më shumë se fjalët “hajdut”, “kriminel” dhe i “korruptuar”. Ndërsa ambasadorët e huaj që ishin ulur në llozhë për të parë se çfarë do të bënte e si do të sillej politika shqiptare pas rastit të Doshit, ia futën vrapit menjëherë sapo Meta mbylli raundin e parë. “Teatër i turpshëm” – e quajtën ata seancën dhe ky përkufizim, mesa duket, ishte shumë diplomatik, pasi vetë politikanët u treguan më të sinqertë me njëri-tjetrin.
Në fakt, në përfundim të të tilla analizave, lexuesi pret ndonjë sugjerim për ndonjë zgjidhje, por mendoj se në të tilla situata nuk mund të rekomandohet ndonjë zgjidhje për këtë hall të madh që kanë zënë këtë vend. Rekomandimi i vetëm do të ishte për ata që ende nuk janë çmendur nga kjo dyzinë të çmendurish, që të mos i ndjekin më, të mos lexojnë çfarë shkruajnë e të mos dëgjojnë çfarë thonë…. Ah po, mund edhe të mos i votojnë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: