TIRANE- Kreu i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu ka prezantuar sot rezultatet e analizave studimore sa i takon gjendjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Në dëgjesën e zhvilluar paraditen e sotme me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, Hysenlliu ka bërë publik qëndrimin e institucionit që ai drejton, mbi gjendjen aktuale të Teatrit Kombëtar.

Ai thotë se në kushtet aktuale Teatri Kombëtar rrezikon që të kthehet në një rrezik potencial për artistët, dhe po ashtu edhe qytetarët. Sipas Hysenlliut, godina e Teatrit është e rrezikshme, dhe sipas tij duhet të pezullohet aktiviteti.

“Sistemi elektrik është përtokë. Në infrastrukturën e vet është vendosur tejmase pa estetikë. Për t’u mbrojtur nga rastet e zjarrit duhet të ndërhyhet menjëherë. Në rast rreziku duhet të merren masa që dyer të jenë në madhësinë e duhur për të mundësuar daljen e njerëzve.sa i përket sistemit të zjarrit, nuk ka pompa për fikjen e tij. Nuk ka ambient se ku mund të vendosen depozitat e zjarrit. Ne kemi nxjerrë një relacion teknik, dhe i kemi kërkuar drejtorisë së Teatrit që të ndërhyjë. Sa i takon ventilimit, situata dihet. Aty mungon ajrimi. Në konkluzionin që ka nxjerrë Instituti i Ndërtimit, kjo godinë është e pabanueshme, duhet urgjentisht të pezullohet aktiviteti. Vendimi të prishet apo jo i takon një institucioni tjetër, por ne japim vlerësimin për kushtet nga ana arkitekturore. Për ne ai objekt duhet të rrafshohet dhe të ndërtohet me ato kushte teknike që duhet sipas standardeve të nevojshme”, u shpreh ai.

Sa i takon mundësisë për restaurimin, ai tha se kostoja në këtë rast do të ishte shumë herë më e lartë se ajo e ndërtimit, pasi “Nëse bëhet fjalë për rikonstruksion duhet të ndërhyhet në masën 90 %”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb