Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Aktori i njohur Lazër Filipi është kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Ideja e hedhur nga drejtori Hervin Çuli, i cili ka deklaruar publikisht dëshirën për të shembur këtë godinë meqë është amortizuar, ashtu si edhe shpresën për të ndërtuar një teatër të ri. Duket se artistët janë skeptikë, se me shembjen e së vetmes godinë ku mund të ketë art skenik, do të mbeten pa teatër. “Godina e Teatrit Kombëtar nuk duhet shembur, përkundrazi, ajo duhet ruajtur derisa të ketë një teatër të ri. Nuk duhet shembur në asnjë mënyrë”, – tha dje për “Gazeta Shqiptare”, aktori që i ka kaluar të 80-tat. Ai nuk ngurron ta thotë edhe hapur frikën e tij më të madhe: “Nëse ndodh që shembet, ne populli i Tiranës do të mbetemi pa teatër për disa vite”.
Filipi, i njohur për njërin prej roleve të tij më të bujshme, atë të Leninit në dramën “Orët e Kremlinit”, shprehet se “teatri i ri mund të ndërtohet kudo, ku ta japë shteti, por mirë do të ishte që ai të bëhej afër qendrës së kryeqytetit”. Në fakt, të shumtë janë artistët që kanë ndarë me të të njëjtin mendim. Alfred Bualoti, Mihal Luarasi, Arben Derhemi, Marjeta Ljarja kanë kërkuar që, para se të shembet teatri i vjetër dhe i amortizuar, të gjendet një ambient, ku artistët të interpretojnë gjersa një teatër i ri të ngrihet, meqë debatet ndër vite nuk kanë munguar, por, asgjë nuk është bërë për të pasur një projekt konkret.
“Është folur disa herë se do bëhet një teatër i ri. Njëherë u tha që do e bëjnë te Piramida. Pastaj, ndërruan mendje dhe vendosën që te Piramida të dërgohet parlamenti, ndërsa te parlamenti të dërgohet teatri. Ka pasur ide dhe mendime të shumta që janë hedhur e diskutuar, por nuk pati asnjë vendim, as më herët, as sot. Vendi më i mirë është të ndërtohet ku është sot Teatri Kombëtar. Duhet një godinë e re për të, por ndërkohë nuk mund të rrimë pa teatër fare, ndërkohë që një godinë shembet e një tjetër ndërtohet”, – e mbyll prononcimin e tij Filipi.
Pak ditë më parë, edhe Mihal Luarasi u shpreh se teatri duhet të jetë në qendër. Megjithatë, çështja e rishikimit të qendrës së kryeqytetit, të Tiranës, atij i sillte ndër mend një tjetër ngjarje: projektin francez për qendrën e Tiranës. “Ky projekt u ekspozua në Galerinë Kombëtare të Arteve për një kohë të gjatë. Dhe në këtë qendër nuk figuronte kurrkund Teatri Kombëtar, megjithëse ata që ishin autorë të projektit, francezët, në atdheun e tyre e kanë teatrin në qendër të qytetit. Unë them se për çështjen e godinës së teatrit duhet menduar dhe duhet menduar seriozisht, jo me nisma që përmendin shifra 500 mijë euro. Kjo kështu nuk bëhet. Ose bëhet Teatri i ri Kombëtar dhe kjo çështje planifikohet si duhet, ose nuk bëhet fare”, – u shpreh ai.
“Nuk jam që të bëhet një bodrum si teatër dhe sipër tij të ketë një pallat. Unë po flas për një Teatër të ri Kombëtar të mirëfilltë, nga fillimi deri në fund”.
Ndërkaq, Arben Derhemi doli kundër një ngrehine “multifunksionale”, që do ngërthente në vetvete edhe një teatër, edhe disa ambiente me funksione të tjera. Pyetjes nëse kërkohet një godinë e dedikuar vetëm për teatër, ai i përgjigjet: “Normalisht, një godinë dedikuar Teatrit Kombëtar shqiptar”. Ai sjell shembullin e fqinjëve, që së fundmi kanë investuar miliona euro në këtë fushë. “Edhe ajo ‘kioska pa leje’ që quhet Maqedoni, ka investuar rreth 50 milionë euro para dy vitesh për Teatrin Kombëtar të ri dhe sot në Tetovë janë lëvruar rreth 13 milionë euro për teatrin e Tetovës nga qeveria e Shkupit. Ndërkaq, qeveria shqiptare nuk mundi të lëvronte dot 30 milionë euro për të bërë një Teatër Kombëtar? Kjo është çmenduri. Unë nuk e di, nuk i jap dot shpjegim”, – deklaronte Derhemi për “GSH”.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: