NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Në konferencën për mediat para shfaqjes “Made in Albania” në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” regjisori Altin Basha dhe autori i pjesës Stefan Çapaliku kanë bërë një skaner të teatrit shqiptar sot. Nisur edhe nga titulli i pari e mori fjalën Altin Basha i cili tha se, “gjërat ‘Made in Albania’ nuk shiten, duhet të jenë “Made in Italy”, etj. Kjo histori është si një metaforë për fat të keq për dramën shqipe. Edhe teatri shqiptar duhet të jetë “Made in Italy”, që të konsiderohet i mirë”. Sipas Bashës, vepra është për të tëra produktet shqiptare dhe për përçmimin që për fat të keq kemi ndaj tyre. “Vepra e Çapalikut ‘Made in Albania’ është për çështjet e kapitalizmit të ri shqiptar, për skllavërinë moderne, edhe për çështjen e identitetit tonë real, që duhet ta mbrojmë e ta zhvillojmë- jo në versionin e vjetër të ‘kalasë së pamposhtur’ as ‘për barin që e hamë pa i lëshuar parimet’ por në kuptimin që në vende të tjera identitetet nuk shiten për të marrë identitet tjetër, ndërsa ne e kemi tipar social këtë”.

Sipas tij, detyra e shtetit është të zhvillojë kulturën, por ne jemi ende në tirani vertikale. “Ka një fond për projektet e pavarura ku përfshihen të gjitha në një kazan, ndodh që për të mos shkaktuar pakënaqësi në komunitetin e artistëve financohet 1 nga 2 projekte me pak lek, dhe kjo është strategji mbijetese, jo zhvilluese”, tha Basha, duke shtuar se në teatër është pësuar regres. “U krijuan kompanitë e pavarura në vitet 2000. Sot nuk e kemi më atë situatë. Jemi në regres prej asaj kohe. Duke dashur të shkurtohen vende pune e buxhete kemi arritur këtu. Mjafton deklarata e drejtorit të Teatrit Kombëtar që ka thënë publikisht se Teatri Kombëtar nuk është kosh plehrash për dramën shqipe për ta kuptuar ku jemi”, tha Basha. Regjisori i shfaqjes “Made in Albania” shkruar nga Stefan Çapaliku, shtoi se “zhvillimi i dramës bëhet duke u vënë ajo në skenë. Ne përmirësohemi me punë, me debate, kur flasim për cilësinë. Nëse drama shqipe nuk vihet në skenë pa dyshim që nuk do kemi dramë shqipe. Nëse përjashtohen apriori dramat shqipe, është deklaratë shqetësuese. Nuk e kuptoj se çfarë tjetër duhet të thotë drejtori i Teatrit Kombëtar që të shqetësojë mbarë komunitetin e institucionet”.

Pas tij, fjalën e mori Stefan Çapaliku, i cili ishte në të njëjtën linjë, sa i takon teatrit shqiptar sot, dramës shqipe dhe politikave kulturore. “Përmes këtij produksioni ne do të themelojmë një forum për dramën. Të rrahim mendime e të hapim debate publike për teatrin shqiptar. Jemi shoqëri që nuk e shohim veten në një perspektivë zhvillimi. Ministria e Kulturës nuk ka ide se ku do ta çojë teatrin. Ne nuk dimë sa është fondi publik i teatrit, dhe pse është kaq e jo aq. A ka një arsye? Si shpërndahet dhe kush përfiton, si mund të kemi një gjeneratë të re dramaturgësh e regjisorësh kur nuk kemi program zhvillimi? Me këto do merret forumi në të ardhmen”, tha Çapaliku.

Sipas tij, kemi spektatorë të mirë e të ndershëm me fatin e të cilëve po luhet keq, një lojë e mbrapshtë. “Nuk ka një platformë të qartë. Duhet kuptuar që drama bashkëkohore e teatri bashkëkohor bëhet nga njerëz të shqetësuar, jo nga njerëz që krijojnë efekte gazmore, për të përhapur optimizëm të lartë. Imagjinoni si do të ishte teatri antik grek nëse do kishte vënë në skenë autorë kinezë? Sigurisht që ne i vlerësojmë prirjet dhe prurjet e teatrit bashkëkohor, por duhet futur edhe drama shqipe në kompeticion. Nuk jetojmë në ishull. Ne nuk arrijmë të shkojmë deri në Kosovë me shfaqjen tonë dhe këtu thuren fletëlavdërime”.

Ai shtoi se “nëse e ngre zërin për shpërblimet e aktorëve, se nuk paguhen njësoj ai që bën Hamletin dhe ai që bën rojën e kështjellës, aktori vetë nuk më vjen dot pas, nuk ka fuqi të thotë jam dakord me ju, se punon për bukën e gojës, është fason”. Sipas Stefan Çapalikut, “Jemi një shtet që nuk ka asnjë politikë në diplomacinë kulturore. Nuk bëhet as përpjekja më e vogël për të ekspozuar një mall ‘Made in Albania’. Nuk ndodh askund si tek ne. Diplomacitë e shteteve të tjera janë në dispozicion e në shërbim të vlerave të tyre dhe aseteve njerëzore. Ne çfarë eksportojmë, se as krom nuk kemi më? Nuk e kuptojmë pse e kemi këtë rrjet diplomatik, për të pritur e përcjellë ministrat në aeroporte?”. Në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe Gjergj Prevazi, ndërsa aktori Luftar Paja tha se “duhet të luftojmë për identitetin e dramës shqipe. Shfaqjet nuk janë për elitat, por për masën e gjerë të popullit”.
Shfaqja

“Made in Albania” është drama më e re e Stefan Çapalikut dhe pjesa e tretë e veprës “Triologia Albanica”, (ku bëjnë pjesë edhe monodrama “I’m from Albania dhe drama “Allegretto Albania”). “Made in Albania” i bën jehonë Shqipërisë së sotme, asaj të vërtetës, thelbësores, të “padukshmes”, “underground”-it shqiptar. Ngjarjet zhvillohen në një rrobaqepësi, biznes fasonësh, në të cilën punojnë gra të të gjitha moshave dhe që prodhojnë rroba me etiketat “Made in Albania”. Regjisor dhe producent ekzekutiv i këtij projekti është Altin Basha, i njohur tashmë si regjisor i një teatri të ri.

Altin Basha, në bashkëpunim me autorin ka pasur një sukses ndërkombëtar në Festivalin “Drama të Reja nga Europa” (New Plays from Europe) në vitin 2010 në Gjermani, ku fituan çmimin e parë me dramën “Allegretto Albania”. Kjo shfaqje është mbështetur financiarisht nga Bashkia e Tiranës dhe Teatri Kombëtar Eksperimental si dhe nga mjaft organizma të tjerë. Skenografe dhe kostumografe është Iliriana Loxha, koreograf Gjergj Prevazi dhe kompozitor Endri Sina. Në rolet kryesore do interpretojnë Zyliha Miloti, Luftar Paja si dhe një radhë prej 11 aktorësh të tjerë më të rinj: dhe në interpretimin e Shegushe Bebeti, Albana Kocaj, Eglantina Ceno, Loredana Gjeçi, Era Çaushi, Arjeta Dhima, Sara Smaja, Linda Jarani, Algiona Aga, Aleksander Seitaj, Florian Agalliu. Premiera do jetë të Enjten më datë 14 Prill 2016, në Teatrin Kombëtar Eksperimental dhe vijon të shfaqet edhe në datat 15,16 dhe 17.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: