TIRANE – Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka rrëzuar sot dekretin e Presidentit mbi ligjin për Teatrin.

Në mbledhjen e sotme kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi tha se çështja për dekretin e Presidentit ështe e njohur dhe se do të kalohet për votim në seancën plenare

Ndërsa relatori Ilir Beqja u shpreh se komisioni nuk ka pse ta shqyrtojë pasi sipas tij një gjë e tillë është bërë edhe më parë.

“ Bazuar në rregullore beme gjykimin e parë dhe bëmë ndryshimet që i vleresuam te nevojshme qe u votuan. Kam lexuar dekretin dhe në vlerësimin tim më shume jane lojëra fjalësh. Kemi reflektuar çfare shprehej si shqetësim nga Komisioni Europian,” tha ai.

Në dekretin e datës 11 tetor, Presidenti i Republikës Meta, ktheu për herë të dytë në Parlament ligjin për teatrin. Në dekretin presidencial theksohej se ligji i ri nuk ofron asnjë zgjidhje për problematikat kushtetuese të konstatuara më parë.

Kreu i Shtetit nënvizoi se në ligj, me gjithë ndryshimet e bëra nuk garantohet barazia e subjekteve private në ndërtimin e teatrit.

Po ashtu, Presidenti vlerësonte se veprimtaria e Kuvendit, ishte e pambështetur në ndonjë vlerësim tekniko-ligjor, për çështjet e ngritura në dekretin e tij të parë për të njëjtën çështje.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb