KORÇË

Pas kundërshtive të banorëve dhe ambientalistëve për ndërtimin e termocentralit në qytet reagojnë edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal. Kryebashkiaku dhe prefekti mbështesin ndërtimin e veprës në qytet vetëm nëse shoqërohet me zgjidhje për ngrohjen dhe nëse niveli i ndotjes është sipas parametrave të BE-së.


Në mbështetje të banorëve të Korcës dhe ambientalistëve, të cilët e kanë kundërshtuar ndërtimin e Termocentralit pasi krijon ndotje mjedisore, janë rreshtuar edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal. Kreu i Bashkisë Sotiraq Filo e kundërshton ndërtimin e TEC-it në qytet nëse nuk sjell përfitime për ngrohjen. Filo thotë se nuk ka aspak kompromis nëse TEC-i nuk shërben për ngrohjen e banorëve të Korcës dhe më pas mbetet për të analizuar nivelin e ndotjes për të vendosur nëse do të ndërtohet apo jo në qytet.



I të njëjtit mendim është edhe prefekti Dhori Spirollari. Edhe pse mbështet investimet strategjike për zonën, Spirollari këmbëngul që kompania investitore të japë garanci që niveli i ndotjes të jetë sipas parametrave të BE-së.

Vepra e re energjitike, investimi prej 400 milionë euro i një kompanie austriake që parashikohet të ndërtohet në afërsi të impiantit të ujërave të përdorura ka ndezur polemika në Korcë. Qytetarët dhe ambientalistët janë shprehur kundër këtij investimi, pasi rrezikon t’i shkaktojë Korçës ndotje mjedisore në nivele të larta.

(BalkanWeb)