Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka shpallur prioritetin e “Shqipërisë Madhështore” dhe ka akuzuar qeverinë e “Rilindjes” për dështimin e modelit ekonomik, i cili sipas tij ka shkaktuar rënie të eksporteve dhe ka mbështetur një ekonomi të bazuar në pastrim parash të krimit dhe korrupsionit.
Blushi theksoi se kriza e eksporteve në vitin 2024 është thelluar ndjeshëm, duke arritur një humbje prej 15,2%, dhe se Shqipëria është mbërthyer në një spirale të dështimit ekonomik.
Ai ka shtuar se Partia e Lirisë ka një plan të qartë për t’i dhënë fund këtij modeli dhe për të ngritur Shqipërinë në nivelin e një fuqie eksportuese, duke mbështetur prodhuesit vendas dhe duke rritur konkurrencën në tregjet ndërkombëtare.
Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi
Rënia dramatike e eksporteve vazhdon pikiatën e pandalshme, për shkak të modelit të dështuar ekonomik të “Rilindjes” që bazohet vetëm te pastrimi i parave të pista të krimit dhe korrupsionit, përmes kullave dhe rezorteve luksoze.
Sipas të dhënave të vet Institutit të Statistikave të Edi Ramës, INSTAT, kriza e rënies së eksporteve në vitin 2024 është thelluar ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, me një pakësim prej rreth 15,2% ose me 67 miliard lekë në vit.
Paralelisht është përkeqësuar edhe përqindja e mbulimit të importeve me eksportet, nga 51% në vitin 2023, në 42% në vitin 2024.
Eksportet e Shqipërisë janë sot rreth 8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, aq sa 30 vite më parë, kur ndërkohë mesatarja e eksporteve të vendeve në rajon është në rreth 5 herë më e lartë dhe ku vetëm në Maqedoninë e Veriut fqinje eksportet janë 57% e PPB. Nisur nga ecuria aktuale, kjo diferencë pritet të thellohet më tej, edhe për shkak të narkoeuros që vijon të falimentojë në masë fermerët e prodhuesit vendas, duke faktuar dështimin e plotë të NarkoQeverisë, për të mbështetur kompanitë eksportuese, për t’i mbrojtur ato nga rritja globale e çmimeve të lëndëve të para, si dhe nga kriza e qëllimshme e kursit të këmbimit.
Përmbysja e këtij modeli mafioz dhe klientelist të narkoekonomisë që dëbon dhe varfëron shumicën e shqiptarëve është sot emergjencë kombëtare. Shqipëria Fuqi Eksportuese, prioriteti i pestë madhor i Partisë së Lirisë, është Shqipëria Madhështore, që do të ndërtojmë së bashku me shqiptarët e sidomos me prodhuesit e ndershëm, pas 11 Majit.
Ky objektiv i Partisë së Lirisë, do të arrihet nëpërmjet realizimit të 4 prioriteteve të tjera:
- Ndalimi i shpopullimit.
- Dyfishimi i pagave dhe pensioneve.
- Arsimi dhe fuqizimi i kapitalit njerëzor.
- Fuqizimi i Bujqësisë dhe Ushqimit,
që tanimë janë pjesë integrale e programit të koalicionit fitues “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Vetëm rritja e qëndrueshme e eksporteve do të kontribuojë në ritme relativisht të larta të rritjes së të ardhurave kombëtare dhe në ndërtimin e Shqipërisë Madhështore që meritojnë të gjithë shqiptarët.
Vetëm duke votuar më 11 Maj për koalicionin “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” mbështetja e aktiviteteve prodhuese dhe eksportuese do të arrijë në nivelin 50 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Vota për koalicionin “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” është jo vetëm votë kundër modelit të Narkoekonomisë dhe kundër Narkoeuros, por është një votë pro prodhimeve “Made in Albania”, është votë pro modelit që mbështet prodhimin vendas dhe garanton shitjet në tregjet ndërkombëtare të produkteve të tyre, është votë që mbështet fermerët punëtorë dhe duarartë të Korçës, të Myzeqesë, të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, që prej 12 vitesh detyrohen të hedhin në kanal mundin, djersën dhe sakrificat e tyre, duke parë si të vetmen zgjidhje largimin nga vendi.
Shqipëri Madhështore do të thotë Shqipëri Fuqi Eksportuese, dhe kjo do të realizohet falë programit tonë që synon:
Rritjen e prodhimit të energjisë nëpërmjet liberalizimit, për të qenë të pavarur nga importi i energjisë elektrike;
Ndërtimin e kapaciteteve të përpunimit të naftës dhe produkteve të tjera të hidrokarbureve;
Rritjen e shkallës së pasurimit dhe përpunimit të mineraleve në vend me qëllim rritjen e vlerës së eksporteve të tyre;
Nxitjen e permiresimit dhe prodhimit bujqësor-blegtoral, rritjen e përpunimit agro-industrial, per rritjen e eksporteve dhe rritjen e burimeve dhe rezervave ushqimore për vendin;
Nxitjen e rritjes se prodhimit te industrise duke i siguruar mbështetje infrastrukturore, subvencionuar investimet si dhe grante për kompanite ekportuese;
Mbeshtetjen dhe nxitjen e përdorimit të teknologjisë me qëllim uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërinë se produkteve;
Procedura të thjeshtuara administrative dhe doganore me vendet e BE-së; krijimin e lehtësirave fiskale; njohjen dhe kthimin e vlerës së TVSH-së në momentin e eksportimit, per të gjitha sipermarrjet eksportuese;
Mbeshtetjen me grante, programe, kredi të buta, garanci sovrane, per kompanite eksportuese
Mbeshtetjen e bizneseve start-up – me potencial rritjen e eksporteve, dhe në vecanti ne fushën e IT dhe inovacionit duke financuar deri ne 10,000 Euro për start-up dhe tax-free për 5 vite.
Rritjen e investimeve në arsim dhe kujdes shëndetësor për të rritur kapitalin njerëzor dhe konkurrencën në industri me rritje të shpejtë dhe me vlerë të lartë si bio-teknologjia, inxhinieria, financa, mjekësia
Rritjen e investimeve në infrastrukturë moderne kritike për të mbështetur bizneset dhe industritë e përfshira në tregjet ndërkombëtare
Mbeshtetje per standardizimin e produkteve dhe markave të prodhimit në dobi të zhvillimit të biznesit shqiptar në përgjithësi.
Humbja e sigurtë më 11 Maj e Organizatës Kriminale do të jetë një çlirim për të gjithë vendin.
Vetëm duke votuar më 11 Maj për koalicionin “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” potenciale të jashtëzakonshme njerëzore, intelektuale, profesionale do të çlirohen dhe Shqipëria Madhështore, Fuqi prodhuese dhe Eksportuese në rajon do të jetë një realitet që do t’u përkasë të gjithëve, në radhë të parë fermerëve dhe prodhuesve vendas.