Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se qeveria mund të tentojë sërish të manipulojë zgjedhjet, por theksoi se fitorja e opozitës më 11 maj do të jetë spektakolare. Ai gjithashtu e cilësoi burgosjen e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, si një agresion të hapur ndaj opozitës.

Pyetje: Z. Blushi, a mendoni se viti 2025 do të jetë po aq i nxehtë sa viti i kaluar për ju, veçanërisht në aspektin politik dhe juridik?

Përgjigje: Së pari, më lejoni që së bashku me Sekretarët Politik të Partisë së Lirisë për Qarkun e Korcës dhe me drejtuesit kryesorë të kësaj partie, t’ju përcjellim urimet më të përzemërta për një Vit të Ri të mbarë dhe me shëndet për familjet e tyre. Ne vijmë në këtë takim pas një seance të zgjeruar me strukturat tona të Qarkut të Korcës, dhe po ashtu, kemi theksuar se viti 2025, si një vit zgjedhor, do të sjellë ndryshimin e shumëpritur jo vetëm për banorët e Qarkut të Korcës, por për të gjithë Shqipërinë. Partia e Lirisë ka ndezur motorët, strukturat janë të angazhuara, dhe jam i bindur se fitorja në 11 maj do të jetë spektakolare në gjithë Shqipërinë.

Pyetje: Ju përmendët një rezultat spektakolar, sa mandate synoni në Qarkun e Korcës?

Përgjigje: Nuk është çështje numri, por fryme. Jam i bindur se rezultatet që Partia e Lirisë do të arrijë në 11 maj do të jenë të paparë më parë. Objektivi është minimumi 3 deputetë nga Qarku i Korcës dhe 1 deputet nga Qarku i Korcës për Tiranën.

Pyetje: Pa Presidentin e Partisë, mendoni se mund të arrini këtë që keni deklaruar?

Përgjigje: Izolimi ekstrem i Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk mund të konsiderohet si një ngjarje normale, por si një agresion të paprecedentë i narkoregjimit ndaj Partisë së Lirisë. Kjo është një goditje pa fakte dhe pa prova penale ndaj Presidentit Meta dhe drejtuesve të opozitës, në një përpjekje për të garantuar një mandat tjetër për Edi Ramën, si dhe një mandat të përjetshëm për drejtorin aktual të SPAK-ut, Altin Dumani. Megjithatë, ne besojmë në angazhimin e strukturave tona dhe të gjithë opozitës, dhe jemi të bindur që objektivat do të arrihen, dhe fitorja në 11 maj do t’i përkasë opozitës së bashkuar.

Pyetje: Po flisni për një opozitë të bashkuar, ndërkohë që nuk keni një marrëveshje parazgjedhore me PD-në. Si e shihni këtë?

Përgjigje: Kjo është një çështje teknike. Unë jam i bindur se opozita e vërtetë dhe e bashkuar do të triumfojë në 11 maj, edhe pse Edi Rama po bën përpjekje për të cenuar standardet e zgjedhjeve. Në Qarkun e Korcës, për fat të keq, sistemi i patronazhimit dhe përpjekjet për të manipuluar votën e diasporës janë ende prezent. Ne kemi marrë prova dhe kemi bërë ankesë pranë OSBE/ODIR për këto përpjekje kriminale që cënojnë procesin zgjedhor. Megjithatë, opozita do të arrijë një fitore të merituar dhe do të jetë një fitore për qytetarët dhe patriotët shqiptarë.

Pyetje: Ju si Parti e Lirisë kërkoni listë të përbashkët me PD-në apo veçmas?

Përgjigje: Ne kërkojmë një mirëorganizim në funksion të fitores së merituar të shqiptarëve. Kjo do të thotë që e gjithë opozita duhet të jetë në këmbë dhe të luftojë për të shkurtuar ditët e narkoregjimit. Kemi parë që ky organizim ka funksionuar me sukses përmes Mosbindjes Civile dhe protestave, të cilat janë rruga për të shkurtuar mandatet e këtij regjimi.

Pyetje: Cili është fati i Erjon Veliajt në SPAK?

Përgjigje: Fati i Erjon Veliajt është paracaktuar që kur u bë publike firma e tij e paligjshme që hapi rrugën për Inceneratorin e Tiranës. Veliaj duhet të ishte ndaluar dhe të ishte duke vuajtur dënimin. Nuk duhet të kemi asnjë shpresë te SPAK, që sot merret me gjurmët e Harabelit, ndërsa nuk ka vepruar për të ndaluar aferat e paligjshme të Veliajt. Aferat me inceneratorët dhe grupet kriminale janë të dokumentuara dhe kanë përfshirë direkt edhe Kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e tjerë të Rilindjes. Erjon Veliaj duhet të ishte dënuar dhe të vuante dënimin që meriton.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb