Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi zhvilloi një takim me  strukturat drejtuese të Lëvizjes së Gruas për Integrim.

Blushi në fjalën e tij tha se gratë janë të diskriminuara në tregun e punës. Ai shtoi se qeveria i përdor gratë për shou dhe asgjë më shumë. Sipas tij, PL ka objektiv fuqizimin e familjes, ndërsa qeveria shkatërrimin e familjes shqiptare.

Tedi Blushi: Gratë janë të diskriminuara në tregun e punës. Edhe pse gratë janë më shumë në numër në universitetet tona, ato kanë rroga më të ulëta. Qeveria i përdor gratë për shou. Ata nuk kanë guxim që të ngrenë zërin dhe nuk bëhen dot avokate të vajzave e grave në mbarë Shqipërinë. Për fat të keq, Rama ka kthyer gratë në figura të korruptuara. Këtu kemi Ballukun, Manastirliun, Xhaçka, interesat e së cilës prevaluan mbi interesat e vendit. Partia e Lirisë ka prioritet familjen. Ata kanë si program shkatërrimin e familjes dhe përjashtimin social të grave dhe vajzave.

Ndërsa, ne kemi program fuqizimin e grave dhe vajzave. Ne kemi modele suksese gra si Silva Cako, Erisa Xhiuxho, kemi Brunilda Haxhiun, kemi Kejdi Mehmetajn, kemi gra e vajza anëtarë të Kryesisë, kemi Elda Ballabanin, kemi ekonomisten Mirvete Asqeriun, kemi kryetaren e Kuçovës, pa harruar Fatjona Selimajn në Fushë Arrëz. Fuqia e Partisë së Lirisë janë gratë.

Fjala e plotë:

Është kënaqësi e veçantë të takohemi sot, në prag të fundvitit me vajzat, gratë dhe nënat e mrekullueshme të Lëvizjes së Gruas për Integrim, për të bërë së bashku jo vetëm një bilanc lidhur me pozitën e përkeqësuar të gruas, të nënës, të vajzës në shoqërinë tonë dhe në familjen shqiptare, në vitin që po mbyllim, por edhe të zgjidhjeve konkrete që ofron për to programi i shkëlqyer i Partisë së Lirisë, 5 Prioritetet madhore për 4 milion shqiptarë plus.

Një nga qëllimet kryesore të “Rilindjes” në 12 vite në pushtet ka qenë asgjësimi i bazave të shëndosha të familjes.  Familja shqiptare është më e rrezikuar se kurrë nga sekti i “Rilindjes” që i ka shpallur luftë, ka bërë dhe po bën çdo përpjekje për shkatërrimin dhe zhbërjen e vlerave të saj. Ky është sulm i drejtpërdrejtë kundër identitetit kombëtar sepse ky është thelbi i axhendës së qëllimshme të Edi Ramës për shpopullimin e Shqipërisë.

Viti që lemë pas u karakterizua nga një agresion i paparë që kjo rrymë çnjerëzore ndërmori për denatyrimin dhe asgjësimin e familjes shqiptare, në veçanti duke sulmuar vajzat, gratë, motrat dhe nënat shqiptare, me nismat “Prindi 1 dhe Prindi 2”, me përpjekjet monstruoze dhe perverse kundër të miturve dhe fëmijët tanë, nga tekset shkollore me përmbajtje perverse e deri tek shfaqjet e shëmtuara të organizuara nga Bashkia e Tiranës tek liqeni artificial, me martesat e paligjshme, e deri tek tentativa kriminale dhe antikombëtare për të shndërruar zyrtarisht vendin tonë në një fermë laboratorike të internacionales së surrogacisë. Ky agresion që ka ecur paralelisht me thellimin e varfërisë të vajzave dhe grave, me diskriminim dhe përjashtimin e tyre të theksuar social ka prodhuar edhe statistika shumë shqetësuese.

Sipas INSTAT, 52.9% e grave pohojnë se kanë përjetuar të paktën njëherë dhunë gjatë jetës së tyre, ndërsa 36.6% e tyre pohojnë se janë duke përjetuar dhunë psikologjike, fizike apo ekonomike nga partnerët e tyre.  Kjo është rezultat i varfërisë dhe i mungesës së politikave për mbështetjen e familjeve, të grave e sidomos atyre kryefamiljare, por edhe rezultat i pabarazive.

Në lidhje me arsimin e lartë kemi më shumë vajza të cilat studiojnë apo gra që kanë përfunduar arsimin e lartë. Në vitet e fundit rreth 66% e studentëve ishin vajza dhe kuptohet që në përgjithësi janë me rezultate më të mira se sa djemtë, por kur bëhet fjalë për pagat, ato diskriminohen, pavarësisht se janë më të shkolluara, pavarësisht se bëjnë të njëjtën punë dhe pavarësisht se bëjnë edhe punë të papaguar në shtëpi.

Bizneset që drejtohen nga gratë janë kryesisht të vogla dhe të karakterit familjar që bazohen tek vetpunësimi me 1 deri në 4 të punësuar. Edhe përsa i takon shkallës së pjesëmarrjes në tregun e punës kemi këto të dhëna 57% e grave janë të punësuara, ndërkohë që burrat janë punësuar 68%.

Këto statistika janë rezultat i përjashtimit social i diskriminimit të padrejtë dhe të qëllimshëm shtetëror që nuk i favorizon gratë, përkundrazi i dekurajon. Është për të ardhur keq që kjo pozitë e tyre reflektohet edhe në administratën publike, ku “Rilindja” i trajton gratë e vajzat si kukulla panari. Ndërkohë që nga Kryetarja e Kuvendit dhe deri tek ministret në qeveri janë jo vetëm “meme” për servilizmat që i bëjnë publikisht “Kryerilindasit”, por janë shndërruar edhe në simbolet më të urryera të korrupsionit të përbindshëm qeveritar, si Belinda Balluku, Elisa Spiropali, Ogerta Manastirliu apo Olta Xhaçka.

Partia e Lirisë e ka kryeprioritet forcimin e familjes dhe këtu kemi një dallim të fortë me Rilindjen sepse programi i tyre është shkatërrimi i familjes. Ne kemi modele të shkëlqyera dhe frymëzuese të grave dhe vajzave në Lëvizjen e Gruas për Integrim, që janë jo vetëm aseti ynë por edhe aset për të ardhmen e Shqipërisë.

Ne kemi modele të shkëlqyera të vajzave të mirëarsimuara të cilat luftojnë për të drejtat e grave, për fuqizimin e familjes dhe gjithë kohës janë në bashkëpunim me shoqërinë civile, i dëgjojnë gratë dhe vajzat dhe ndërmarrin iniciativa për të reflektuar dhe për të mbrojtur interesat e tyre. Falë edhe një drejtuese si Esmeralda Demiraj, model i shkëlqyer për vajzat e gratë në karrierë, ne kemi sot një forum shumë energjik të gruas në Partinë e Lirisë, që vijon të mbajë gjallë traditën e jashtëzakonshme të LGI dhe në muajt që vijnë dhe në vitet e ardhshme jam i bindur se ka për të prodhuar rezultate të jashtëzakonshme për zgjerimin e pandalshëm të Partisë së Lirisë.

Në Kuvend ne kemi ZëvendPresidenten, Erisa Xhixho, në Këshillin Bashkiak të Tiranës kemi Silva Cakën, Zv/Sekretaren e Përgjithshme, Brunilda Haxhiu, në krye të Komisionit të Arsimit kemi Kejdi Mehmetaj, në krye të Komisionit të Shëndetësisë kemi Florida Ymerin, në krye të Komisionit të Bujqësisë kemi Silvana Bajramin, kemi modele frymëzuese të grave intelektuale që shkëlqejnë me angazhimin e tyre në sektorë të ndryshëm, si ekonomisten Myrvete Asqeri, arsimtaren Brunilda Salaj, kemi drejtuesen e Njësisë Nr.6 në Tiranë, Elda Ballabanin, kryetaren tonë të mrekullueshme të Fushë-Arrëzit, Fationa Selimaj, kryetaren e Kuçovës, Erisilda Hoxha pa harruar dre koordinatoret e LRI, Anisa Ibraj, Dea Nako dhe Ioana Peti, Sekretaren për Marrëdhëniet me Publikun Arla Merja.

Ndaj ne si Parti e Lirisë për familjen do të vazhdojmë të forcojmë politikat tona dhe propozimet tona. Qëndrimi ynë për forcimin e familjes dhe kundër shpopullimit është një dhe i pandarë. MBËSHTETJE E GRUAS DHE FAMILJEVE TË REJA -NDIKIM I DREJTPËRDREJTË NË NDALIMIN E SHPOPULLIMIT

Mbështetja e gruas dhe familjes është kauzë madhore e Partisë së Lirisë. Për këtë do të realizohet:

Fuqizimi Ekonomik dhe Social i Gruas nëpërmjet programit “arsim për punësim”, në mënyrë që gratë të fuqizohen ekonomikisht, veçanërisht, gratë dhe vajzat që u përkasin shtresave më në nevojë të popullsisë. “Strategjia për Gruan Sipërmarrëse”, një pakete masash stimuluese financiare dhe fiskale për arsimimin, kualifikimin, trajnimin, zhvillimin dhe promovimin e iniciativës private për vajzat dhe gratë.

Intensifikimin e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, kryesisht dhunës në familje, në ambientin publik dhe në vendin e punës. Mbështetje dhe stazhe në biznese për të ndihmuar gjetjen e punës së parë për vajzat që mbarojnë shkollën dhe paralelisht, si dhe do të shtojmë edhe stazhet në administratën publike. Dedikimin e programeve të veçanta për nxitjen e start-up-eve nga vajzat dhe gratë nëpërmjet mundësimit të linjave të veçanta të kreditimit me norma interesi të ulëta për këto biznese të reja dhe integrimi në tregun e punës.

Rishikimin e kuadrit ligjor për dhunën dhe diskriminimin me bazë gjinore si dhe monitorimi i vazhdueshëm i masave dhe buxheteve të dedikuara për këtë aspekt në nivel qendror dhe lokal. Monitorimi në bashkëpunim më shoqërinë civile i zbatimit të ligjit të miratuar tashmë nga Parlamenti Shqiptar “Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”.

Mbështetja e grave kryefamiljare me politika më sociale, duke evituar pengesat burokratike në mbështetjen sociale të tyre, si dhe duke i bërë pjesë të programeve të fuqizimit ekonomik. Mbështetja e familjeve të reja me mekanizma të ndryshëm financiare si kredi të buta (dhe mekanizma të tjerë) për strehim. Rritje progresive pagesave për fëmijën e dytë e të tretë. Garantimi i aksesit dhe fuqizimi i grave dhe vajzave për të marrë pjesë në të gjitha proceset vendimmarrëse, në nivel qendror dhe lokal. Ulja e TVSH për produktet për fëmijët deri në 5 vjeç, për veshje, ushqime, libra, lodra.

Forcim i ndihmës ekonomike për gruan kryefamiljare dhe për të porsalindurit. Rritje e ndihmës sociale për fëmijët në familje me prindër të divorcuar. Pesë prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus janë “ilaçi” që ndalin shpopullimin, mbrojnë Familjen dhe Kombin! Prioriteti  i parë është Ndalimi i shpopullimit nëpërmjet mbështetjes së Familjes.

Pagat për nënat në masën 70-100% të pagës për 2 vitet pas lindjes. Do të trefishohet bonusi i bebes. Për nënat me dy dhe më shumë fëmijë ulje taksash në pagë dhe të ardhura. Kredi për çiftet e reja, 20,000 mijë euro, ku interesat i paguan shteti. Ofrimi i shtëpive për çiftet e reja sipas modelit hungarez, krijimi i fondit të banesave për çiftet e reja, blerje me kosto e banesave të pashitura;

Kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar dhe zbritje e kredisë me 3,000 euro, fëmija 1, 6,000 euro fëmija 2 dhe 10,000 euro, fëmija 3.

Shpenzimet për ushqime bazë do të rimbursohen 5%. Shpenzimet për “shportën e bebes” do të rimbursohen 10%.

Mbështetja falas me ushqimin dhe suplementet ushqimore të domosdoshme, për gratë shtatzëna  të familjeve në gjendje varfërie e papunësie, gjatë shtatzënisë dhe deri në 1 vit pas lindjes së fëmijës. Reduktim i vdekshmërisë foshnjore dhe nënave në lindje duke përmirësuar kujdesin për nënën dhe fëmijën.

Garantimi nga shteti i punësimit të grave shtatzëna për të mundësuar të ardhurat e domosdoshme për përballimin e shtatzënisë së sigurt dhe të shëndetshme.  Garantimi nga shteti falas i ushqimeve dhe suplementeve ushqimore deri në 1 vit për fëmijët e lindur në familjet në varfëri dhe të papuna. Garantimi nga shteti falas i veshjeve dhe aksesorëve pediatrikë, për një periudhë 1-vjeçare, për fëmijët e lindur në familjet në varfëri dhe të papuna.

Mbulimi i plotë falas i të gjitha barnave përfshirë edhe ato që nuk janë pjesë e Listës së Barnave të Rimbursueshme për nënat dhe fëmijët e porsalindur për një periudhë 1-vjeçare. Pagesa e Kujdestarëve gjatë shtatzënisë. Sigurim i detyrueshëm i jetës në çerdhe, kopshte, shkolla e ambiente rekreative për çdo fëmijë.

Sistemi i kateringut në kopshte dhe shkolla. 20,000 euro grant për çdo të ri deri 25 vjeç që fillon biznes social apo start-up. Ju falenderoj shumë për mbështetjen që i keni dhënë Partisë së Lirisë, dikur LSI, sepse këtu kemi themeluese që nga Erisa që ka qenë gjimnaziste dhe shumë prej jush, disa prej të cilave tani janë edhe në moshën e pensionit.

Dhe së dyti, dua t’ju falenderoj për punën që jam i sigurt që do të bëjmë së bashku nga sot e në të ardhmen dhe vitin tjetër do të kemi një bilanc tjetër. Do të kemi një program shumë edhe më konkret se sa e kemi sot, sepse do t’i takojmë dhe do t’i dëgjojmë gratë kudo në të gjithë Shqipërinë. Do të hapemi ndaj grave më të zonja, ndaj grave më të afta, ndaj grave më bashkëpunuese.

Ju e keni dëshmuar se jeni një fuqi nukleare dhe jam i bindur se përmes bashkimit, zgjerimit dhe hapjes së pandalshme të Forumit të Gruas, zëri juaj dhe i të gjitha grave shqiptare do të dëgjohet edhe më fort dhe sigurisht pas 11 Majit shumë prej jush do të bëjnë ligjin në Kuvendin e Shqipërisë, në pushtetin vendor, në të gjitha institucionet.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb