Sezoni tjetër në Seria A do jetë plotësisht ndryshe nga ai që po përgatitemi të lëmë pas.

Në fillim ishin oraret e ndryshuara të ndeshjeve ku nuk do ketë më një masivitet takimesh të dielën në orën 15:00, por do jenë të shpërndara përgjatë gjithë fundjavës, ndërsa tani, ndryshimi ka të bëj me sistemin “VAR”, teknologjia që ndihmon arbitrat për momentet e diskutueshme gjatë ndeshjes.

Sistemi i emërtuar ‘VAR’ ka marrë ‘dritën jeshile’ nga kreu i shoqatës së gjyqtarëve të futbollit italian, Marcello Nicchi. Teknologjia me video do të përdoret si fillim në finalet e Kupës së Italisë, në sfidën Juventus-Lacio, raporton “Gazzeta dello Sport”.

Më pas nga ndeshja e parë e sezonit të ardhshëm do jetë e instaluar përgjithmonë për të hapur kështu një kapitull të ri në futbollin italian që pritet të pasohet edhe nga mjaft vende të tjera.

Kujtojmë që kjo teknologji nuk është e panjohur për ‘kontinentin e vjetër’ pasi më 28 mars të 2017 u përdor në ndeshjen miqësore Francë-Spanjë ku tërhoqi edhe mjaft vëmendje.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb