Facebook është nën hetime në Shtetet e Bashkuara për të përcaktuar nëse ky rrjet social “e ka mbytur konkurrencën dhe i ka vënë përdoruesit në rrezik”. Lajmi u bë i ditur nga prokurorja e përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, Letitia James, në emër të një koalicioni të përfaqësuesve nga disa shtete.


“Edhe platforma më e madhe e mediave sociale në botë duhet të ndjekë ligjin dhe të respektojë konsumatorët”, tha James.


Facebook tha se njerëzit kanë “zgjedhje të shumta” kur bëhet fjalë për përdorimin e shërbimeve online.
“Nëse ne ndalojmë inovacionin, njerëzit mund ta lënë lehtë platformën tonë. Kjo nënvizon konkurrencën me të cilën përballemi, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në të gjithë globin”, tha Will Castleberry, nënkryetar i Facebook-ut për politikën shtetërore dhe lokale.


Zyrtarët shtetërorë në Kolorado, Florida, Ajoa, Nebraska, Karolinë e Veriut, Ohajo dhe Tenezi janë pjesë e hetimit, ashtu si dhe Rrethi i Kolumbisë.
“Do të përdorim çdo mjet hetimor që kemi në dispozicion për të përcaktuar nëse veprimet e Facebook-ut mund të kenë rrezikuar të dhënat e konsumatorëve, të kenë zvogëluar cilësinë e zgjedhjeve të konsumatorëve ose të kenë rritur çmimin e reklamave”, tha James.

Facebook tashmë po përballet edhe me një hetim rreth konkurrencës nga Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb