Rrethimi me tela me gjemba i zonës së Kuvendit, edhe pse pamje e rëndë për kamerat e televizioneve të huaja, dha mesazhin e qartë se do të ishte mision tejet i vështirë dhuna ndaj deputetëve apo pushtimi i Kuvendit. Kjo shkurajoi çdo mendje të nxehtë protestuese që e kishte llogaritur dëmtimin e pronës publike dhe shkatërrime në objekte shtetërore të rëndësisë së veçantë, një biznes të lehtë për t’u kryer. Shenjat e para u dukën ditën e 16 shkurtit, kur pas xhamave të thyer të hollit të katit të parë të kryeministrisë, trupa të motivuara dhe të qeta ishin gati të përballonin mësymësit e revoltuar, për të mos i lënë të depërtonin në atë ndërtesë. E gjitha kjo është meritë e Policisë së Shtetit, që më në fund, pas gati 28 vitesh sprovash jo profesionale, di të organizohet si duhet dhe arrin të përballojë turma të revoltuara, madje edhe të shuajë që në lindje çdo tentativë për shkatërrim. Më në fund kemi segmente shtetërore që nuk gjenden të papërgatitura nga të papriturat e një proteste.

Ndërkohë, tek shumë qytetarë të këtij vendi, dy ditë më parë pritja për protestën e opozitës përpara dyerve të Kuvendit ishte e mbarsur me shqetësim. Madje, për disa, gati-gati me frikë. Shqetësimin dhe pritjen e tensionuar e kishte rritur ndjeshëm paralajmërimi një ditë më parë i ambasadës amerikane në Shqipëri që qytetarë të SHBA-ve në Tiranë të mos ndodheshin pranë mjediseve të Kuvendit në kohën kur do të zhvillohej protesta. Një paralajmërim i tillë nuk ishte bërë ditën e 15 shkurtit, një ditë më parë protestës së madhe përpara kryeministrisë. Dhe njerëzit i nxirrnin vetë konkluzionet. Pritej diçka jo e mirë për vendin. Për fat, protesta kaloi pothuajse paqësore dhe për këtë merita i takon, krahas kësaj policie tashmë profesionale në detyrën e saj, edhe opozitës. Po, po. Kësaj opozite sot të vetëlarguar nga skena normale politike.

Të anatemuar keqazi, të nëpërkëmbur, të injoruar. Që ka shumë komplekse brenda vetes, por që gjeti forcën, edhe në momente tejet të vështira për të, që të mos nxisë akte dhune. Të përmbajë më të ekzaltuarit dhe trazovaçët mes protestuesve. Ky është një shërbim i madh për vendin, nga çdo anë ta shohësh. Gjuha mund të jetë e rëndë, provokuese. Por provokime reale ndaj trupave të rendit që mbronin Kuvendin nuk pati. Mos vallë thjesht nga një polici shumë më kompakte dhe e qëndrueshme, u trembën skifterët më të papërmbajtur të opozitës? Mendja të shkon që këta skifterë janë mbajtur nën fre nga vetë organizatorët e protestës. Duke mos prodhuar skenarë sulmi me çdo kusht për të arritur tek dyert e jashtme të Kuvendit. Nëse kjo stinë protestash, e nisur me kaq paralajmërime ogurzeza shtrohet dhe vijon në shtratin e natyrshëm të demonstrimeve jo të dhunshme, kemi arritur si vend atë që dukej mision i pamundur në janar, për shembull, të kanalizojmë protestën e një opozite që ka bërë një akt të pashëmbullt në historinë 95 vjeçare të demokracive evropiane, të vetëflijojë asetin më të çmuar që ka, të drejtën e përfaqësimit të qytetarëve që e kanë votuar në jetën normale politike të një vendi. Kjo e ka bërë parlamentin tonë të duket sot i panatyrshëm, madje jo-ekzistent.

Zëvendësuesit e deputetëve të dorëhequr janë surogato dhe xombi politike që gjithçka mund të duken, por jo përfaqësues të vullnetit të votuesve. Nuk ka opozitë në parlamentin tonë sot. Ajo është në rrugë. Ajo është opozita reale e vendit dhe e tillë do të mbetet, pavarësisht surogatove të dala nga procedura teknike zëvendësimi. Kjo opozitë reale duket se ka larguar dhunën nga tehu i armës së sotme politike të saj dhe ky është shërbimi më i madh që mund t’i bëjë ajo në këto momente qytetarëve të vendit të vet. Pavarësisht se duket sikur dhuna e saj është “e trembur” nga telat me gjemba, profesionalizmi dhe vendosmëria e policisë për të mbrojtur godinat kryesore të Shtetit. Nëse opozita do të vijojë t’i qëndrojë këtij shtegu jo-dhunë të aksionit të saj politik jashtë terrenit normal demokratik, me gjithë pasigurinë që kjo “lojë jashtë vijave kufizuese të fushës” prodhon, do të rikthehet të jetë një vlerë e patjetërsueshme e këtij vendi. Thjesht dhe vetëm me protestën paqësore. Sikurse kishte harruar të ishte prej vitesh, tashmë. Sigurisht, tundimi për të pranuar ose provokuar dhunën do jetë bashkudhëtar i saj. Por nëse opozita e mposht brenda vetes këtë tundim, do të ankorojë anijen e saj të batërdisur në portin e vlerave, aty ku duam ta shohim të gjithë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb