TIRANE- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagon pas shkrimit të publikuar në BalkanWeb dhe pranon email-in e datës 27 janar 2017-të, drejtuar shefave të policisë në të 23 institucionet e vuajtjes së dënimit për të kontrollur me rreptësi telefonatat e të burgosurve, duke sqaruar se kjo ishte një masë që të mos shqetësoheshin më zyrtarë të lartë, siç ishte edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Në një deklaratë të tyre, sqarohet edhe fakti se përveç Manjanit është shqetësuar edhe vetë drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Miklovan Kopani po ashtu edhe zyrtarë të tjerë të lartë, ndaj edhe u mor kjo masë.

DEKLARATA E PLOTE
Pas publikimit të një emaili me urdhrin verbal të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, insitucioni ynë ju bën me dije se:

E konfirmojmë ekzistencën e këtij emaili shpërndarë nga zyra e Informacionit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve më dt. 27.01.2017. Ky urdhër verbal i drejtorit të përgjithshëm transmetuar me fonogram për të gjitha IEVP është tërësisht ligjor dhe konform rregullores për arsye se në shumë raste është shkelur procedura standarde e regjistrimit të numrave të telefonit që do të telefonojnë personat që vuajnë dënimin. Kjo neglizhencë dhe shkelje proceduriale nga ana e disa prej punonjësve të policisë së burgjeve ka sjellë për pasojë që në shumë raste persona të dënuar kanë telefonuar zyrtarë të lartë publik duke i sjellë shqetësim. Në listën e zyrtarëve të telefonuar nga kartofonat e IEVP theksojmë se ka patur telefonata në drejtim të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, ministrit të Drejtësisë si dhe ndaj një numri tjetër zyrtarësh të lartë.

Për këto arsye, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në datë 27 janar 2017 nëpërmjet këtij urdhëri të shpërndarë i ka rikujtuar punonjësve të policisë së burgjeve të kryejnë detyrën me seriozitet për të mos patur në të ardhmen telefonata të tilla karshi zyrtarëve publik.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me përgjegjësi ju bën me dije se çdo urdhër verbal apo me shkrim është tërësisht sipas akteve që normojnë sigurinë e sistemit dhe ky njoftim i shpërndare nuk shkel në asnjë rast të drejtat e të dënuarve.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ju bën me dije se në çdo rast është e hapur për çdo media dhe individ në dhënien e informacionit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: