Një ditë pasi u denoncua publikisht, Presidenca i ka dërguar një shkresë Prokurorisë së Tiranës ku i kërkon të verifikojë shantazhin ndaj zëdhënësit të Presidentit të Republikës Ilir Meta, z. Tedi Blushi.

Gazetarja Klodiana Lala referuar burimeve nga Prokuroria raportoi për “BalkanWeb” se në shkresë Presidenca kërkon verifikimin e telefonatës që i është bërë zëdhënësit nga një telefonues që është prezantuar si diplomat.

Në shkresë thuhet që 30 minuta pas një statusi të hedhur në “Facebook”, “këshilltari i presidentit është telefonuar nga një person i cili është prezantuar si punonjës i një prej ambasadave në vend. Personi fliste gjuhën shqipe por pas disa minutash bisedë i ka kërkuar këshilltarit të bisedojë me një diplomat në gjuhë të huaj”.

Presidenca kërkon nga ana e Prokurorisë të verifikohet se kujt i përket numri dhe nëse personat që kanë telefonuar dhe shantazhuar zëdhënësin janë ose jo diplomatë.

Dje Presidenti Meta deklaroi se zëdhënësi i tij Tedi Blushi është shantazhuar nga një ambasadë e huaj në Tiranë. Meta theksoi se shtantazhi për shkak të detyrës ndaj Blushit ka ardhur pas një postimi që ky i fundit kishte bërë në rrjetet sociale, ku i kërkohej që të hiqej.

“Po zëdhënësi im, z.Tedi Blushi është shantazhuar në emër të një Ambasade të huaj në Tiranë, që të tërheqë një postim të bërë sot paradite për shkak të detyrës brenda 30 minutash. Kam kërkuar hetim të menjëhershëm. Shpresoj të jetë lojë e Rilindjes por mjerë ata diplomatë që mund të kenë kërcënuar Zëdhënësin e Presidentit të Republikës”, shkruan Meta.

STATUSI PËR TË CILIN U SHANTAZHUA BLUSHI

Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit.
Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtesi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës.
Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik.
Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë!
Rruga e Kavajës të çon në Kavajë!
Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb