TIRANE- Këshilltari për financat në PD, Dorian Teliti ka komentuar situatën ekonomike në vend, duke u shprehur se gjatë 2014 e në tremujorin e parë në 2015 është regjistruar një performancë e ulët e mbledhjes së të ardhurave. I ftuar në studion e “News 24”, Teliti tha se rritja ekonomike është e ulët, ndërsa pritshmëritë sipas tij janë shqetësuese. Sipas Telitit, “performanca ekonomike e 2014 ishte 1.9%”, duke shtuar se “Parashikimi per rritjen ekonomike nuk u realizua, pasi treguesit e besimit rezultojnë me ulje”.

“Të ardhurat e mbledhura janë 1 mld më pak. Është krijuar një sistem informal, dhe kjo është bërë shkak për një rritje të ulët ekonomike. Po kështu ka rënie të tatimit mbi vlerën e shtuar. Masat e qeverisë ndikuan në rritjen e informalitetit”, tha Teliti.

Më tej, Teliti është ndalur tek papunësia në vend, duke u shprehur se treguesit kanë shënuar rritje në vlerat 18-19%. Nga ana tjetër sipas tij ka një ulje të theksuar të ndihmës ekonomike, që ka ndikuar në nivelin e jetesës së familjeve në nevojë.

“Ka thellim të vazhdueshëm të deficitit tregtar. Rritja ekonomike për 2015 llogaritet rreth 2%. Kësaj qeverie i mungon vizioni për një platformë zhvillimi, dhe politikë e saj është të paguajë borxhet. Administrata doganore shënon performancë negative. Plani buxhetor për 2015 është i pamundur, pasi është elektoral. Ekonomia shqiptare po vuan nga taksat e larta, dhe vendi nuk është më tërheqës për investitorët”, u shpreh Teliti.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb