TIRANË- Pas deklaratave të Ministrisë së Brendshme për rastin e gazetarit që u dhunua në Gjirokastër dhe akuzave të PD-së se policia nuk i ka marrë denoncimin, vetë Telnis Skuqi ka reaguar duke treguar versionin e tij mbi ngjarjen e sotme.

Ndryshe nga sa tha Ministria e Brendshme, se gazetarit i është ofruar gjithë mbështetja, Skuqi ka thënë se menjëherë pas ngjarjes ka shkuar në Policinë e Gjirokastrës por në vend të denoncimit, oficeri i rojës i ka marrë vetëm gjeneralitetet. Sipas tij policia ka vepruar vetëm pas daljes publike të Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma.
“Është e vërtetë që unë kam deklaruar në denoncimin tim të dytë, sot në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës se janë kryer të gjitha procedurat ligjore dhe nuk kam asnjë ankesë në adresë të tyre, por kjo deklaratë është kryer pasi sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma, doli në konferencë shtypi dhe dënoj sulmin fizik ndaj meje. Po e vërtetë është fakti, se pas incidentit të shëmtuar që ndodhi sot, jo më shumë se 50 metra larg Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, unë kam shkuar të denoncoj këtë veprim të paligjshëm që u ushtrua ndaj meje, ndërsa oficeri i rojës vetëm sa ka shënuar emrin, mbiemrin, datëlindjen, vendbanimin, si dhe numrin tim të celularit, duke më lënë në mëshirë të fatit.
Pas reagimit të Partisë Demokratike, policia lokale ka vepruar me shpejtësi dhe korrektësi për të ndaluar agresorin, si dhe ka marrë denoncimin tim të dytë. Po e vërtetë është fakti se unë kam shkëmbyer mesazh me zëdhënësin e Policisë së Shtetit, si dhe kam telefonuar personalisht inspektorin e zonës ku unë banoj. Deklaratës sime i është ndryshuar tërësisht konteksti i ngjarjes.
Si babai i dy fëmijëve, distancohem totalisht nga veprimet e papërgjegjshme të Ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe i bëj thirrje që deklaratën time të mos e deformoj sipas qejfit”, ka reaguar gazetari Skuqi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: