Bruno Telushi, mesfushori luftarak i Partizanit, vijon të jetë i shtruar në spital pas dëmtimit të rëndë që pësoi në sfidën ndaj Teutës. Vlonjat u godit në shpinë në një dyluftim ajror dhe pësoi një pneumotoraks, dëmtim të pleurës së mushkërisë, çka bën që ajri të kalojë në hapësirën e kraharorit.

Telushi u dërgua me urgjencë në spital ku u intubua në mënyrë që ajri të dilte jashtë trupit, ndërsa sot është në ditën e tij të pestë në regjim spitalor. Nga sa mësohet nga burime pranë klubit të kuq, mesfushori rrezikon më shumë sesa ndeshjen me Kukësin, por gjithsesi diçka konkrete pritet të mësohet vetëm ditën e nesërme sa i takon prognozës së dëmtimit.

Telushi (2)
Telushi (2)

Bruno Telushi është një nga pikat thelbësore të Partizanit të Skënder Gegës. Vlonjati ka marrë çelësat e mesfusës së kuqe dhe po udhëheq ekipin duke u shndërruar në një nga liderët e heshtur të skuadrës dhe mungesa e tij do të ndihet jo pak.

Gjithsesi, tifozët shpresojnë në riaftësimin e tij të shpejtë, duke patur besim dhe te shpirti luftarak i lojtarit, i cili është një nga ata që fjalën “dorëzim” nuk e ka në fjalor.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb